80 milionë dollarë është shuma që Banka Botërore do të financojë në kuadër të projektit “Mjedisi pastër dhe i qëndrueshëm për Detin Blu”. Ky projekt ka për qëllim reduktimin e ndotjes në mjedisin ujor në zonën jugperëndimore, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit.
Marrëveshja e firmosur me Ministrinë e Financave parashikon tre faza, ku pjesa e parë ka të bëjë me promovimin e një qasjeje të integruar dhe qarkulluese për mbrojtjen e mjedisit dhe burimeve ujore.
Pjesa e dytë e projektit synon uljen e ndotjes në Lumin Vjosa, kjo edhe në kuadër të mbështetjes dhe mbrojtjes së mëtejshme të tij, pas akordimit të statusit “Park Kombëtar”, si lumi i fundit i egër në Europë. Projekti do të synojë zgjerimin e infrastrukturës së pastrimit, përmirësimin e mëtejshëm të saj, si edhe parandalimin e ndotjes.
Pjesa e tretë parashikon aspekte të menaxhimit, monitorimit dhe vlerësimit sa i përket zbatimit të këtij projekti, që parashikohet të zgjasë deri në mars të vitit 2029.
Klan News