Gjykata e Posaçme dënoi me 89 vite burg grupin prej 10 personash të akuzuar për sasinë prej 485 kg kokainë në Frakull të Fierit që erdhi nga Kolumbia, dhe ishte tretur në pleh kimik. Të akuzuarit u shpallën fajtor për trafik narkotikësh, armëmbajtje pa leje e grup i strukturuar kriminal.
Sipas vendimit të GJKKO, në dënimet e dhëna është aplikuar për të gjithë të pandehurit ulja në masën e 1/3 së dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar. Njëri prej të dënuarve, Julian Malaj, i cili përfundimisht u dënua me 2 vite burgim, është urdhëruar që të lirohet menjëherë nga qelia për shkak se kohëzgjatja në paraburgim është më e madhe se sa dënimi i caktuar.
Në bazë të hetimeve të kryera nga ana e Prokurorisë së Posaçme rezulton se të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në formën e grupit të strukturuar kriminal, kanë planifikuar, organizuar dhe importuar nga Kolumbia për në Shqipëri ngarkesën e drogës.
Ngarkesa me drogë u pikas fillimisht nga autoritetet malazeze me sinjalizimin e DEA-s Amerikane. Më pas në rrugë tokësore ngarkesa është futur në Shqipëri në datën 19 Shtator të viti 2022 dhe pasi është zhdoganuar në Tiranë, është transportuar në fshatin Frakull e Madhe, në Fier, ku është kryer sekuestrimi i lëndës narkotike nga policia. Për ekstraktimin e lëndës narkotike grupi kriminal kishte kontraktuar 2 kimist kolumbianë.
Ata mundën të arratisen ndërsa lënda narkotike pasi të përpunohej kishte destinacion tregun evropian. 485 kg kokainë nëse do të dilte në treg të ardhurat që do të fitoheshin do të arrinin në 40 milionë Euro.
Klan News