Pas dekretimit të zgjedhjeve për Bashkinë e Himarës nga ana e kreut të shtetit, partitë politike do të kenë 9 ditë afat për të bërë fushatë zgjedhore, e cila do të hapet në 26 korrik.
E teksa socialistët kanë zyrtarizuar prefektin Vangjel Tavo si kandidaturën me të cilën do të garojnë në 4 gusht, opozita ende nuk ka një emër.
Mësohet se, kandidati për Bashkinë e Himarës do të përcaktohet nga Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, e më pas do të mbështetet nga Partia Demokratike.
Ndonëse një nga emrat më të përfolur është ai i të birit të Alfred Belerit, ende nga ana e PBDNJ-së së Vangjel Dules nuk ka një vendimmarrje.
Sipas ligjit, afati i dorëzimit të kandidaturave pranë KQZ-së është data 22 korrik.
Pas vendimit të dhënë nga Gjykata e Apelit, Partia Demokratike do t’i drejtohet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që ta regjistrojë këtë forcë politike me kryetar Sali Berishën.
Kërkesa për regjistrimin e subjekteve zgjedhore duhet të paraqitet në KQZ jo më vonë se data 15 korrik, ndërsa për koalicionet afati për regjistrimin është deri më 19 korrik.
Tv Klan