Në 90-vjetorin e ditëlindjes së ikonës shqiptare, Margarita Xhepa, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka organizuar një event në nder të artistes së mirënjohur të kinematografisë.
E pranishme në këtë event ka qenë edhe Margarita Xhepa, e cila ka thënë se kjo është ditëlindja e parë që feston pasi ka shtuar se dita e lindjes nuk ka qenë zakon të festohej në familjen e saj qëkur ishte fëmijë.
Më tej, në fjalën e saj, Xhepa ka folur për bashkëpunëtorët ndër vite, si dhe ka kujtuar si u bë pjesë e teatrit për herë të parë.
Margarita Xhepa: U emocionova shumë. Ministër faleminderit shumë që vëmendja juaj mbeti tek ditëlindja ime sepse në qytetin tim të lindjes në Lushnje, ishte një zakon që nuk i festonin ditëlindjet e vajzave edhe djemtë e mi më vonë donin që të më festonin ditëlindjen, po unë iu thoja që “nuk jam mësuar”. Kjo është ditëlindja e parë që festoj në këtë moshë madhore. E them këtë sepse më ka pikuar loti që më janë larguar njerëzit e mi shumë të dashur në një moshë të re. Po ashtu, edhe kolegët e teatrit që kam punuar një jetë të tërë janë larguar nga jeta dhe pa dalë në pension. Kështu është jeta.
Në këtë punë, kam pasur një fat të madh në jetën time. Kur dhashë provim në Liceun Artistik dhe aty fati im, qëlloi regjisori i Teatrit Popullor, Pandi Stillo, i cili pasi dëgjoi poezitë që kisha unë, për t’u siguruar më bëri një ushtrim, dhe më tha “vajzë më prit në korridor sa të mbaroj provimin”. Kur doli më vuri një dorë të sup dhe më tha që “nesër të vish në teatër sepse bashkë me drejtorin kemi diçka për t’ju thënë”. U çudita. Vajta në teatër ishte një drejtor i mrekullueshëm, shkrimtari shkodran Kolë Jakova. Regjisori i propozoi drejtorit dhe i tha “këtë vajzë do ta marrim në teatër për aktore”. Rroga ishte 3 mijë e 800 Lekë. Ashtu u vendos.
/tvklan.al