Qindra besimtarë janë bërë pjesë e homazheve në katedralen ortodokse “Ngjallja e Krishtit” për t’i dhënë lamtumirën e fundit Kryepshkopit Anastas Janullatos.
Ata kanë bërë lutje që shpirti i tij të prehet në paqe dhe kanë ndezur qirinj.
Mes tyre ishin edhe çifti i të moshuarve të ardhur nga Korça, Anastasia dhe Vasillaq Kolaci, të cilët shprehën falenderime për kryepeshkopin si udhëheqësin e tyre shpirtëror, të cilin e kanë takuar që në vitin 1991.
“Kemi ardhur t’i japim lamtumirën e fundit kryepeshkopit të cilin e kemi patur at shpirtër që në vitin ’91 kur ai ka ardhur në Shqipëri”.
“Sot është një ditë shumë e rëndë për ortodoksinë. Ne kemi një shprehje që themi Krishti u Ngjall. Vepra e kryepeshkopit Anastas është një vepër titanike. Ai ishte një njeri që së shpejti ne do ta adhurojmë si një shenjtor”.
90-vjeçari kujton kohët e vështira të komunizmit që u persekutuan dhe besimi u ndalua, dhe sipas tij rolin më të rëndësishëm në rimëkëmbjen e Kishës Ortodokse e luajti Kryepeshkopi Janullatos.
“Ishte një popull i tërë i persekutuar. Shumë njerëz pranë kishës, besimtarë të thellë, ishin të persekutuar. Një pjesë edhe i kanë burgosur, një pjesë i kanë internuar, por drita e besimit nuk u trondit. Përkundrazi, ajo me ardhjen e kryeshkopit i fshiu të tëra këto, ngjalli Kishën Ortodokse, kishën më të bukur”.
Pjesë e homazheve janë bërë edhe të rinjtë e shkollave që janë ngritur nga Kisha Ortodokse.
Shumë prej besimtarëve vlerësuan figurën e kryepeshkopit për punën që bëri për forcimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Kryepeshkopi Anastas Janullatos u nda nga jeta më 25 Janar dhe Kisha Ortodokse shpalli pesë ditë zi kishtare në nderim të figurës së tij.
Klan News