Dick Van Dyke thotë se meritat për shëndetin e tij i takojnë frekuentimit të palestrës tri herë në javë.
“Jam ushtruar gjithmonë, tri herë në javë”, tha aktori 99-vjeçar në podcast-in “Where Everybody Knows Your Name”. “Ulem dhe bëj shumë ‘stretching’ dhe joga”, shtoi ai duke shpjeguar se përdor shumë pajisje që të djersisë nga koka te këmbët.

Van Dyke tha se stili i tij i jetesës mund të jetë arsyeja pse është kaq energjik, ndryshe nga moshatarët e tij. Ai është parë duke u larguar nga palestra në vigjilje të ditëlindjes së 98-të në vitin 2023, i shoqëruar nga bashkëshortja, Arlene Silver.
Asokohe, ylli i filmave tha me shaka se 53-vjeçarja e detyronte të bënte palestër edhe pse ai “e urren”.
Gjatë podcast-it, Van Dyke shprehu entuziazmin për të festuar përvjetorin e 100-të më 13 dhjetor 2025 sepse planifikon të organizojë “një festë të madhe”. Planet e tij për moshën shekullore e tejkalojnë eventin e vogël me të cilin festoi 99-vjetorin.

Në një intervistë me Jimmy Kimmel, aktori tha me humor se ishte “shumë plak”, madje “aq plak sa të ishte” babai i ish-presidentit, Joe Biden që është 82 vjeç.
Ai është baba i katër fëmijëve me ish-gruan e ndjerë, Margie Willer. Ajo ndërroi jetë në vitin 2008 dhe në 2012 Van Dyke u martua me Silver./tvklan.al