Sot programi “Rudina” në Tv Klan ka nisur me një histori frymëzuese për jetën, dashurinë por mbi të gjitha për të patur një fëmijë e për të gëzuar statusin nënë. Vasilikës iu deshën pak më shumë se 5 vite përpjekje të vazhdueshme për të patur një fëmijë. Vizitat mjekësore brenda dhe jashtë vendit dhe medikamente të ndryshme nuk dhanë asnjë rezultat. Ajo kishte arritur në një peshë trupore që po i shuante shpresat për të patur një fëmijë. Nuk priti gjatë dhe vendosi që të frekuentonte palestrën. Para dy javëve, ajo lindi një vajzë dhe të gjithë këtë mrekulli ia kushton instruktores së saj Erilanda Bakalli.
Vasilika ka treguar se në Shtatorin e vitit të kaluar nisi palestrën në mënyrë intensive dhe me ndihmën e instruktores së saj arriti të humbasë 20 kg. Ditën që ajo ndërpreu stërvitjen për shkak të karantinës në Mars, zbuloi dhe faktin se ajo tashmë kishte ngelur shtatzënë. Kjo ishte lumturia më e madhe për të dhe bashkëshortin dhe vetëm para 2 javësh erdhi në jetë vajza e tyre Milana.
Vasilika ka treguar këtë histori frymëzuese për të gjitha vajzat apo gratë që vuajnë nga mbipesha dhe mesazhi që ajo ka përcjellë është se me punë dhe vullnet mund të arrihet çdo gjë. /tvklan.al