Lajme Arkiva – TV Klan 2001

A do ta zgjedhin socialistët kryeministrin e ri në fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare? Ky është debati i shfaqur në kampin e majtë nisur nga përvoja europiane. Në lidhje me këtë ide, kryeministri Meta, kryetari i grupit parlamentar socialist Arben Malaj, dhe sekretari i këtij grupi Hamdi Jupe u shprehën.

Kryeminsitri Ilir Meta:- “Unë mendoj se Shqipëria dhe PS, e kanë kryeministrin dhe mendoj gjithashtu se është e rëndësishme që të gjithë brenda PS, të mbështesin kryeministrin për të vazhduar të realizojë ato qëllime që ka PS në programin e saj”.

Gazetari:- Zoti Malaj, a duhet të përcaktohet përpara fushatës emri i kryeministrit?

Arben Malaj:- “PS do të hedh të gjithë hapat që e çojnë atë në një fitore të sigurt. Të gjitha hapat e nevojshme që rrisin besimin për të mbështetur forcën politike do të bëhen në kohën e duhur dhe brenda rregullave të caktuara”.

Hamdi Jupe:- “PS nuk ka fituar ende zgjedhjet, që të shpalli kryeministrin”.

Gazetari:- Zoti Meta ka kërkuar që të përfaqësohet në fushatë si kandidat i ardhshëm për kryeministër.

Hamdi Jupe:- “Nuk e di që zoti Meta të ketë bërë ndonjë kërkesë të tillë. Në qoftë se do të bëjë një kërkesë të tillë, unë do t’i thosha që ai vazhdon të jetë kryeministër deri në krijimin e një qeverie të ardhshme”./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame