Këtë të Enjte në “Opinion”, gazetari Blendi Fevziu kërkoi disa përgjigje të aspektit juridik nga konstitucionalisti Jordan Daci. Ky i fundit foli për një dokument që ka qarkulluar në shtypin publik, ku përmendet emri i kreut të bashkisë Tiranë Erion Veliaj.
Jordan Daci: Ai lloj informacioni që kërkohet dhe ajo letër, nuk lë vend për dyshim se është person nën hetim. Padyshim, mund të jetë çështja e Inceneratorëve, por mund të jetë një çështje krejt tjetër që ne nuk e dimë. Por nuk është domosdoshmërisht hetim pasuror.
Blendi Fevziu: Ka të drejtë SPAK ose çdo prokurori të nisë një çështje penale pa e njoftuar personin?
Jordan Daci: Legjislacioni shqiptar nuk përcakton detyrim për prokurorin për të bërë njoftim. Madje, shumicën e rasteve bëhet pikërisht për të mos u marrë vesh…Mos ndikojë në hetim!
Blendi Fevziu: Si e nis në këtë rast Prokuroria procedimin penal?
Jordan Daci: Hetim pasuror mund të ishte fshehje ose mosdeklarim i saj…Por mund të jetë një hetim tjetër ku përfshihen verifikimet e karakterit financiar.
Blendi Fevziu: Nëse është shpërdorim detyre, ç’punë ka me hetimin pasuror?
Jordan Daci: Sepse shpërdorimi bëhet për përfitime monetare, në shumicën e rasteve. Ky dokument tregon që ka një hetim, kjo është e qartë!
Blendi Fevziu: Pse SPAK-u nuk e pohon ose mohon dokumentin?
Jordan Daci: Është pjesë e strategjisë që ka zgjedhur për të bërë hetimin./tvklan.al