Presidenti i një shteti që është shndërruar në strehimore të kriminelëve të luftës nuk ka të drejtë të japë deklarata për gjendjen e sigurisë në vendet e rajonit.
Kështu reagon zv/kryeministri në qeverinë e Maqedonisë, Abdylhaqim Ademi, ndaj deklaratës së presidentit serb, Boris Tadiç, i cili në një intervistë akuzoi se gjoja terroristë shqiptarë kanë kampe trajnimi në Kosovë, Serbinë Jugore dhe në Maqedoni.
Abdylhaqim Ademi: “Unë mendoj që ai në radhë të parë nuk ka të drejtë të japë deklarata për gjendjen e sigurisë ose për gjendjen politike për ndonjë vend fqinj e aq më pak ka të drejtë të japë deklarata për situatën politike në Maqedoni. Tribunali i Hagës tanimë disa vite po kërkon nga Serbia t’i dorëzojë kriminelët e luftës. Serbia është vend ku strehohen kriminelët e luftës nga ish Jugosllavia.”
Zv/kryeministri Ademi shton se deklaratat e këtilla të funksionarëve serb nuk duhet të shqetësojnë shqiptarët e rajonit.
Abdylhaqim Ademi: “Mendoj se gjithmonë kur Serbisë i është dashur ta defokusojë opinionin nga problemet e saja dhe tanimë kur e sheh se Kosova është në rrugë pa kthim drejt pavarësimit të saj, tani kur e sheh se disa vende të rajonit po avancojnë rreth proceseve integruese në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Deklarata të tilla janë në vijë të defokusimit të opinionit dhe veçanërisht të futjes huti tek popullata shqiptare në rajon. Unë mendoj që shqiptarët dhe udhëheqësia e vendeve që përmenden në deklaratën e zotit Tadiç nuk do të bien nën provokime të tilla”.
Një ditë më parë deklaratën e presidentit serb në formë më të butë e demantoi edhe Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë, prej ku vlerëson se gjendja e sigurisë në Maqedoni është në nivel të kënaqshëm. Nga Shkupi për Tv Klan, Isen Saliu./tvklan.al
Gazetar: Isen Saliu