Dy pronare farmacish janë proceduar penalisht nga policia pas kontrolleve në terren në Durrës. Ato janë S. L., 32 vjeçe dhe E. D., 40 vjeçe.
“Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore Durrës, në zbatim të masave të përcaktuara në Planin e Masave për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve abuzive të tregtimit të medikamenteve me çmime të rritura fiktivisht, duke përfituar nga situata emergjente e COVID-19 që po kalon vendi, si dhe fshehjen e të ardhurave të përfituara nga abuzimi me çmimet, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor “Medikamenti””, thuhet në njoftimin e uniformave blu.
Si pasojë gjatë kontrollit të ushtruar në farmacinë në lagjen Nr. 13, u gjetën dhe u sekuestruan një sasi dezinfektantësh për duart (xhela antibakterial), pa faturë tatimore, të cilët shiteshin me çmime abuzive, si dhe në farmacinë në lagjen Nr. 4, u konstatuan shitje pa kupon tatimor.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, ndërsa policia paralajmëron se Kontrollet e befasishme do vijojnë në të gjithë qarkun./tvklan.al