I pandehuri i drejtësisë Adriatik Coli, ka dëshmuar më në fund para togave të zeza në procesin e shumëpërfolur të “Bandës së Durrësit”. Pas afro 3 vjetësh seancash gjyqësore në Gjykatën e Krimeve të Rënda, i pandehuri i marrë në mbrojtje, ka mundur të rrëfejë rrethanat në të cilat u njoh me Lulzim Berishën, i cilësuar si kapo i “Bandës së Durrësit”. Pas pyetjeve të prokuroreve, Coli dëshmoi lidhur me njohjen e tij gjatë viteve ‘94 me Lulzim Berishën në Monza të Italisë, ku sipas tij kreu i bandës ishte trafikues i qenieve njerëzore dhe shfrytëzues i prostitucionit.
Sipas të pandehurit, miqësia me kapon e Durrësit u përforcua gjatë viteve ‘97 atëherë kur Lulzim Berisha u plagos në dalje të picerisë në pronësi të tij “C’era una Volta”.
Por gjatë dëshmisë së Colit ka patur debate mes prokuroreve të çështjes dhe avokateve mbrojtës në lidhje me cilësimin e bandës së Durrësit si organizatë kriminale.
Debati ka shkaktuar dhe ndërprerjen e seancës, por me rifillimin e saj njeri prej avokateve mbrojtës nuk është paraqitur në seancë, çka ka sjellë dhe pezullimin e saj.
Po për shkak të mosparaqitjes së avokatëve, ky proces i bujshëm është shtyre me dhjetëra herë. “Banda e Durrësit” akuzohet për disa aktivitete kriminale, vrasje, pengmarrje, gjobëvënie e trafiqe të paligjshme. Kreu i saj, Lulzim Berisha, u prangos në Tetovë me 6 prill të vitit 2006./tvklan.al
Gazetari: Julian Kasapi