Pjesë e listës së gjatë të urdhërarresteve të lëshuara sot nga GJKKO, janë dhe 3 persona të cilët janë në Spanjë. Mes tyre është Lulzim Berisha, i cili ra në pranga më 14 Dhjetor 2023, pas 3 vitesh arrati.
Arrestimi i tij u finalizua si rezultat i shkëmbimit të informacioneve mes palës shqiptare dhe agjencisë FAST të Spanjës. I konsideruar si ish-kreu i Bandës së Durrësit, Lulzim Berisha ka një kalvar të gjatë procesesh gjyqësore me drejtësinë shqiptare.
Konkretisht në 2012 ai u dënua me burg përjetë nga Gjykata e Durrësit për disa krime të rënda, dënim ky që u rrëzua në Korrik të 2014 nga Gjykata e Lartë. Kjo e fundit e dënoi atë përfundimisht me 25 vjet burg, por vetëm dy vite pas këtij dënimi ai u lirua nga burgu, konkretisht në Dhjetor të 2016.
4 vite pasi fitoi lirinë, ndaj Lulzim Berishës nis një tjetër proces penal, ku u shpall sërish në kërkim nga drejtësia. Për të SPAK ngre akuzën e pjesmarrjes në vrasjen e Klodian Saliut, Vajdin Lames dhe mikut të tij Artan Arsi, ngjarje këto të ndodhura në vitin 2005. Sikur të mos mjaftonin këto, në vitin 2021, Gjykata e Lartë rrëzoi vendimin për lirimin e Lulzim Berishës në 2016 dhe kërkoi rikthimin e tij në burg. Kërkesë kjo e cila pritet të realizohet vetëm pas përmbylljes së procesit të ekstradimit të tij në Shqipëri./tvklan.al