Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Aeroporti i Rinasit do të përfundojë rindërtimin brenda dy vjetësh. Koncensionarët e rinj pritet të marrin menaxhimin privat të aeroportit ndërkombëtar, në fund të këtij viti. Në këtë kohë do të nis dhe rindërtimi që do të kushtojë afro 80 milion euro.

Anastas Angjeli: “Ky projekt shumë i rëndësishëm për zhvillimin e aeroportit kombëtar shqiptar, atë të Rinasit, do të ketë një vlerë prej 80 milion euro, duke përfshirë, këtu dhe duke bashkëpunuar edhe me Ibiardinë dhe Alpha Bank dhe ekonomia shqiptare tashmë e ka kapërcyer fazën e zhvillimit të saj nëpërmjet ndihmave të emergjencës”.

“Sapo të përfundojmë disa çështje ligjore, do të nisim menjëherë punën për rikonstruksionin e aeroportit që besojmë se do të jetë brenda këtij viti. Pas dy deri dy vjet e gjysmë, aeroporti do të ketë përfunduar rindërtimin e plotë sipas projekteve të paraqitura. Ne duam që ky aeroport të bëhet një ndër dyert kryesore të transportit ajror në rajon.”

Qeveria miratoi marrëveshjen e koncensionit 20-vjeçar, marrëveshje e cila pritet të ratifikohet në parlament. Rikonstruksioni përfshin ndërtimin e terminalit të ri, ndërtimin e ambienteve ndihmëse për transportin e mallrave, si dhe një shesh parkimi të ri./tvklan.al