Kuvendi i Maqedonisë së Veriut do të drejtohet sërish nga një tjetër shqiptar. Ai është Afrim Gashi nga Koalicioni VLEN, i cili deri të hënën mbante pozicionin e kryetarit të Partisë shqiptare “Alternativa”. Gashi u zgjodh kryetar i ri i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut me 76 vota pro dhe 6 kundër.
Më konkretisht për kandidaturën e tij votuan pro deputetët e VMRO DPMNE-së, të koalicionit VLEN dhe lëvizjes ZNAM, ndërsa kundër ishin deputetët e partisë E Majta, të cilët deklaruan se VMRO me kandidaturën e Gashit po kosovarizon Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.
Deputetët e Frontit Evropian që drejtohen nga Bashkimi Demokratik për Integrim nuk morën pjesë në votim, pasi më parë kishin braktisur seancën, duke mos u bërë pjesë as e debatit për zgjedhjen e kryetarit të ri.
Në fjalimin e tij të parë pas betimit, Afrim Gashi falënderoi të zgjedhurit e popullit për besimin e dhënë dhe tha se do të garantojë të drejtën e fjalës si për deputetët e qeverisë ashtu edhe për ata nga opozita.
Afrim Gashi, Kryetar i ri i Kuvendit: Do të bëj çmos që këtë tempull të demokracisë ta kultivoj, ta ruaj dhe të jetë në shërbim të gjithë partive, të gjithë qytetarëve dhe t’ju shërbejmë atyre në mënyrë më të mirë të mundshme.
Afrim Gashi ka lindur në Shkup më 9 Nëntor 1977 dhe ka mbaruar studimet për drejtësi. Ai ka qenë deputet i Kuvendit të Maqedonisë Veriut për 2 mandate në vitet 2016-2024.
Tv Klan