Afrim Qëndro, drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar ka rrëfyer takimin që pati me Avdjol Dobin, përfaqësuesin 26-vjeçar të kompanisë fantazmë “DH Albania”, që fitoi tenderin për lotin e parë të Unazës së Re.
I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Qëndro tha se në zyrë u takua me 26-vjeçarin Dobi dhe me përfaqësuesin e firmës tjetër “Biba X”, që është një konsorciumi mes dy kompanive.
Afrim Qëndro:
Mua në zyrë më është paraqitur z.Dobi dhe përfaqësuesi i kompanisë “Biba X”. Kanë qenë dy përfaqësues zyrtarë dhe zotërin e kam pyetur, ju jeni përfaqësues u filialit në Shqipëri? Po tha! Dhe kam firmosur kontratën. Pronari ishte tjetërkush. Ky njeriu ishte përfaqëuses i filiat zyrtar në Shqipëri”.
Sa i përket hetimit për këtë çështje, Afrim Qëndro sqaroi:
“Prokuroria është paraqitur zyrtarisht pranë institucionit tonë dhe ka sekuestruar dosjen. Kjo çështje është nën hetim”.
Ndërkohë, ditën e sotme Prokuroria e Tiranës kishte planifikuar të merrte në pyetje Avdjol Dobin, por kjo gjë dështoi pasi 26-vjeçari nuk u paraqit pranë organit të akuzës.
Avdjol Dobi do të japë sqarime në lidhje me dokumentet që kompania dorëzoi pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe do të pyetet nëse ka dijeni që dokumentet e paraqitura janë të falsifikuara, apo se kush janë personat që ia kanë dhënë atij këto dokumente.
Hetimet e deritanishme kanë zbuluar se “DH Albania” ka falsifikuar datën e regjistrimit, bilancet dhe një certifikatë të Sekretarit të Shtetit të Delaware në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas të cilës ajo nuk ka detyrime fiskale në këtë shtet, ku është regjistuar.
Dyshohet gjithashtu se “DH Albania” ka falsifikuar edhe noterizimin në Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë një noter, i cili rezulton se nuk ekziston.
Sipas sistemit TIMS, Avdjol Dobi rezulton se ndodhet në vendin tonë, por ai nuk ka njoftuar në prokurori as nëse e ka marrë fletë-thirrjen e nisur nga prokurorja e çështjes, Elisabeta Ymeraj.
/tvklan.al