Rrugëtimi i ish-kreut të Vorës nga arratia në pafajësi

Ish-kreu i Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku, i arrestuar me 20 kilogramë kokainë në Itali, ka ende hesape të hapura me drejtësinë shqiptare.

Prokuroria e Tiranës, e cila nisi fillimisht hetim penal për të në vjeshtën e 2019-ës për 3 akuza, atë të falsifikimit të formularit të dekriminalizimit, falsifikimit të dokumenteve zyrtare, si dhe kryerjen e funksionit pas dhënies fund të tij, e çoi çështjen në gjykatë vetëm me një akuzë.

Sipas prokurorit Adriano Dyrmishi, Kajmaku duhet të mbajë përgjegjësi vetëm për falsifikimin e formularit të dekriminalizimit, ku rezultoi se nuk kishte deklaruar një hetim penal në Greqi dhe kërkoi dënimin e tij me 9 muaj burg.

Çështja ndodhet që prej 8 Shkurtit 2022 në pritje të gjykimit në Gjykatën e Apelit Tiranë me ankim të Prokurorit. Kërkesa e këtij të fundit për dënimin e Kajmakut nuk u pranua nga Gjykata, e cila vlerësoi se ish-kreu i Bashkisë nuk kishte falsifikuar dokument sa kohë nuk ka pasur dijeni për hetimin e tij në Greqi, e provuar sipas gjykatës nga letërporosia greke.

Prokuroria dhe Gjykata me pas pushuan edhe hetimet për dyshimet se Kajmaku kishte ndërhyrë në librin e protokollit për shkarkimin nga detyra të dy vartësve të tij pasi ishte larguar me vendim të KQZ, por edhe se ka ndërhyrë në numrat e protokollit duke shpallur fitues tenderi. 

Kajmaku u arratis për më shumë se 6 muaj, për t’u arrestuar në Korrik te vitit 2020 në një spital në kryeqytet dhe dy ditë më vonë u lirua në “Detyrim paraqitje”, masë që ishte në fuqi deri në pushimin e çështjes.

Tv Klan