Agim Kajmaku është tashmë një emër i njohur, për shkak se humbi mandatin e bashkisë së Vorës dhe u shpall në kërkim nga problemet me ligjin e dekriminalizimit.

Por “Stop” tregon se më shumë se sa viktimë e drejtësisë, Kajmaku u bë kurban i luftës brenda llojit nga klanet në PS.

Ish drejtoresha e Burimeve njerëzore në Bashkinë e Vorës tregon, se dy nënkryetarët e bashkisë Hekuran Brahimaj dhe Laureta Omeri i bënin presion për shkarkime e spastrim të administratës dhe këtu nisi lufta e vërtetë mes Kajmakut dhe Belinda Ballukut e dy nënkryetarëve të mbështetur prej saj.

Ish-drejtoresha e burimeve njerëzore Bashkia Vorë: Më thërrasin një ditë në mëngjes dhe shkoj. Të dy ishin nënkryetarët. Do më japësh njëçikë listën, më thonë, çfarë ka bërë emërime Gimi nga shtatori dhe këndej gushti …Shkruaj unë, rreth 70 ishin për t’u bërë vendime, emërime, vendime. Më thërrasin prapë. Këto, që kemi vënë anash, i dua urgjentisht të m’i lirosh dhe unë e vej në dijeni shefin kshu, kshu më është thënë …ok Merit vazhdo, më thotë. Ok!- i thashë unë dhe nga gjithë ky inat më thërret Gimi dhe përplasej me mua dhe më thotë: këtu kryetar jam unë. Të drejtë kishte. Unë shkoj prapë, zbres. Zgjidheni mes jush! Mua mos më fusni mollë sherri në mes. E mirë,- thotë Hekurani,- ikni njëherë! Kur më thërrasin prapë:- bëji ai ka për ta firmos! I bëra këto, iku kjo gjë.   

Si për koinçidencë në të njëjtën kohë, në Gusht 2019, Kajmaku përballet edhe me akuzat e PD-së për probleme me drejtësinë greke.

Kjo pasoi edhe me urdhrin e arrestit për Agim Kajmakun nxjerrë prokurori Kol Hysenaj, me arsyetimin se ai kishte falsifikuar formularin e dekriminalizimit.

Nga të dhënat që janë konstatuar pas dosjes që ka vënë në dispozicion në muajin Janar nga shteti grek, ka një paragraf të prokurorit të Janinës, i cili thotë se Zoti Jorgo Toto, nuk ka është ndaluar dhe nuk ka qenë asnjëherë i arrestuar.

Kjo është dëshmia e penalitetit nga shteti grek, ku pikërisht konfirmohet pafajësia e Agim Kajmakut. Gjithashtu edhe vendimi i prokurorit të Janinës, konfirmon këtë fakt.

Gjykata e Janinës, aty ku ndodhi incidenti 17 vite më parë, me një vendim të formës së prerë të muajit Shtator 2019, vërteton se Agim Kajmaku është i pafajshëm dhe nuk është dënuar asnjë ditë në shtetin grek.

Në fund duket se Kajmaku nuk ka patur probleme me drejtësinë greke, por me klanet që e luftuan brenda PS-së. /tvklan.al