Pas vendimit të Gjykatës së Apelit për të ndryshuar masën e sigurisë për ish-numrin një të Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku, nga arrest me burg në detyrim paraqitje, ka reaguar PD.

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, e ka cilësuar këtë vendim si n jë skenar mafioz i cili sipas tij u zbatua 24 orët e fundit nga qeveria dhe drejtësia.

“Policia bëri dje sikur e arrestoi papritur, pas një gjoja arratisje 7 mujore, ndërsa drejtësia, nën diktatin e qeverisë, e liroi sot nga burgu. Gjithçka ishte llogaritur që lulishtari i oborrit 1 milionë euro të Edi Ramës në Surrel të mos vuante asnjë ditë burg. Agim Kajmaku, një fallsifikator, që fshehu krimin në formularin e dekriminalizimit, u mbrojt nga Edi Rama. Kryeministri nuk e shkarkoi nga detyra, megjithëse ne provuam me dokumenta se kryebashkiaku ilegjitim i Vorës kishte mashtruar dhe ishte në shkelje flagrante të ligjit. Gjatë kohës së “arratisë”, Agim Kajmaku u pagua 200 milionë lekë nga pushteti e Edi Ramës, duke vendosur rekord sesi një person që kërkohet nga policia, përfiton njëkohësisht miliona lekë nga tendera publikë. Ky është një pushtet i kalbur që duhet shkulur me rrënjë, sa më parë! ”, deklaron Bardhi.

Sakaq, sipas togave të zeza, vendimi për Kajmakun është marrë pasi vuan nga probleme shëndetësore, por edhe për shkak se hetimet ndaj tij janë mbyllur dhe çështja ndodhet në fazë gjykimi.

Që prej Nëntorit të kaluar, Agim Kajmaku i është fshehur drejtësisë. Gjykata e Tiranës kishte caktuar masën arrest me burg për Kajmakun pasi akuzohet për falsifikim të vulave dhe dokumenteve, si dhe për kryerjen e funksionit pasi i kishte përfunduar mandati. 49-vjeçari fitoi zgjedhjet vendore në Vorë, pasi ishte kandidat i vetëm i Partisë Socialiste./tvklan.al