Policia i komunikon urdhrin e arrestit në një spital privat
Policia ka bërë me dhjetra operacione për arrestimin e Agim Kajmakut, por ai është zbuluar vetëm pasi mbërriti në një spital privat, ku ka patur problem me zemrën si dhe tension të lartë.
Ish-kryebashkiaku i Vorës vuan nga një sëmundje zemre dhe pasi ka marrë ndihmën e parë nga mjekët, ka zgjedhur të vetëdorëzohet.
Që prej 11 Nëntorit 2019, Agim Kajmaku i është fshehur drejtësisë. Gjykata e Tiranës kishte caktuar masën arrest me burg për Agim Kajmakun pasi akuzohet për falsifikim të vulave dhe dokumenteve, si dhe për kryerjen e funksionit pasi i kishte përfunduar mandate.
49-vjeçari fitoi zgjedhjet vendore në Vorë, pasi ishte kandidat i vetëm i Partisë Socialiste.
Dy javë pasi ishte betuar si kryebashkiak, Partia Demokratike denoncoi Agim Kajmakun se kishte mashtruar me formularin e Dekriminalizimit, duke fshehur identitetin Jorgo Toto, me të cilin ishte ndjekur penalisht në Greqi.
Pasi u provuan akuzat, KQZ i hoqi mandatin Kajmakut, por 49-vjeçari pikërisht në atë ditë shkarkoi dy nënkryetarët e bashkisë, që u cilësua si i paligjshëm nga gjykata.
Agim Kajmaku tani do të njihet me masën e sigurisë dhe mbetet për t’u parë nëse Gjykata do ta lërë në qeli, apo do caktojë një masë tjetër më të lehtë.
Tv Klan