Besimtarët e fesë islame janë duke agjëruar në muajin e shenjtë të Ramazanit për të përmbushur detyrimin e tyre ndaj Zotit. Për ta, kjo është një periudhë që shprehin devotshmërinë e tyre dhe forcojnë lidhjen shpirtërore.
Shumë besimtarë vijnë edhe nga një kulturë familjare që ndjek ritualin dhe më pas e gjejnë veten të përfshirë siç ka ndodhur edhe me Hyrida Bashën. Nutricionistja ndan në programin “Shije Shtëpie” në Tv Klan sesi ka nisur të agjërojë për shkak të kushërirës. Këtë vit, agjërimi për të është një falenderim i dyfishtë teksa shprehet mes lotësh se vetëm falë besimit, ia ka dalë të fitojë disa sfida të vështira.
“Unë më shumë mbaj mend herën e parë që kam agjëruar. Unë jetoja me kushërirën time në shkollën e lartë, në një shtëpi me qira dhe ajo ishte besimtare e devotshme. Në fakt unë vij nga një kulturë familjare besimtarësh, falje namazësh e të tjera me radhë, por gjithmonë unë dhe motra kemi qenë pak ndryshe nga të tjerët. Ndërkohë influenca e saj, gjithmonë më pëlqente sjellja, mënyra sesi fliste, edukimi dhe shpesh shkoja në xhami me të të premteve. Aty pastaj thashë po e provoj sepse në fillim ti nuk i di as vlerat ose nuk e kupton dot sesi ti vërtet lidhesh shpirtërisht me Zotin apo ndihesh më afër.Ishte një ndër ndjesitë më të bukura që kam përjetuar. Për disa kohë nuk ka ndodhur më agjërimi për shumë arsye të tjera, kurse këtë vit jo ka ardhur natyrshëm, por e kam ndier sikur ka qenë një thirrje më tepër sepse kam dashur ta falënderoj Zotin për shumë sfida që unë kam kaluar dhe nëse nuk do të ishte ai, nuk do t’i kisha kaluar kaq lehtë kështu që e ndiej si një obligim të dyfishtë falënderimi”, përfundoi Hyrida./tvklan.al