Të ftuar:

Sada Peca – stiliste

Hyrida Basha – nutricioniste

Sezer Arslan – parukier

Hoxhë Hajredin Dizdari

Gazetare: Agida Koçi

#ShijeShtëpie në #TvKlan. Emision edukues, informues & argëtues me znj. Vjollca dhe Katerina Trungu. Çdo ditë me recetat e thjeshta dhe mbi të gjitha ekonomike te znj. Vjollca duke edukuar amvisat si të ushqehemi shëndetshëm. Rubrika të ndryshme me të ftuar specialë me këshilla të thjeshta praktike, të kuptueshme nga të gjithë, për çdo aspekt të të përditshmes. Argëtim, me muzikë dhe quiz, lojëra gjithëpërfshirëse që të japin atë dëshirën për të luajtur dhe për të komunikuar live me Katerinën dhe të ftuarit e saj.

2 receta nga Znj. Vjollca

Shija perfekte e lakrës me patate dhe ullinj

500 gr lakër të bardhë

400 gr patate

80 gr ullinj

200 gr domate qershi

Kripë

Vaj ulliri

2 thelpinj hudhra

1 spec pikant

Rozmarinë

Trumzë

Majdanoz

Piper i zi

1/2 gotë ujë

Ngrohim vajin në tigan dhe e aromatizojmë atë me hudhrat e grira dhe specin pikant të grirë hollë. shtojmë patatet të prera në kubikë 1,5 cm, 2 degë të vogla rozmarinë dhe i kaurdisim ato sa të fillojnë të zverdhen pak me pak kripë. Shtojmë domatet, trumzë dhe i kaurdisim ato për 4 minuta e më pas shtojmë lakrën e grirë hollë në fijë. Shtojmë përsëri pak kripë, ujë, i përziejmë dhe shtojmë ullinjtë. Vazhdojmë përzierjen, vendosim kapakun dhe për 5-7 minuta në temperaturë mesatare. Në fund shtojmë majdanozin e grirë , piper të zi dhe gjithccka është gati për ta shërbyer.

Brushull me presh

700 gr presh

400 gr miell misri

1 gotë ujë të nxehtë

1,5 gotë qumësht

3 kokrra vezë

Kripë dhe piper i zi

150 gr djathë të bardhë

3-4 lgj kos

50 gr gjalpë

50 gr vaj ulliri

Pastrojmë preshët, i grijmë hollë dhe i vendosim në një tigan pa yndyrë vetëm me pak kripë dhe vendosim kapakun deri sa preshi të zbutet pak e të mos ketë lagështirë. Shtojmë vajin dhe i kaurdisim pak. Shtojmë në të pak qumësht dhe e lëmë preshin të ziejë në qumësht për pak minuta. E largojmë nga zjarri dhe e lëmë të bjerë temperatura duke shtuar në të vezët. Në një tas vendosim miellin, kripë, ujin e nxehtë, vajin përzier me gjalpë, qumështin e mbetur, kosin. I përziejmë përbërsit në tas duke shtuar në të preshët e gatuar. Në fund shtojmë djathin e thërrmuar. Lyejmë tepsinë me gjalpë, e pudrosim me pak miell dhe nivelojmë në të brumin. E spërkatim në sipërfaqe me pak vaj dhe qumësht dhe e pjekim në temperaturë 220 gradë për 40-45 minuta.

Nis muaji i shenjtë i Ramazanit për të gjithë besimtarët myslimanë

Agjëron në shenjë falënderimi, përlotet nutricionistja: Pa besimin në Zot…

Besimtarët e fesë islame janë duke agjëruar në muajin e shenjtë të Ramazanit për të përmbushur detyrimin e tyre ndaj Zotit. Për ta, kjo është një periudhë që shprehin devotshmërinë e tyre dhe forcojnë lidhjen shpirtërore.

Shumë besimtarë vijnë edhe nga një kulturë familjare që ndjek ritualin dhe më pas e gjejnë veten të përfshirë siç ka ndodhur edhe me Hyrida Bashën. Nutricionistja ndan në programin “Shije Shtëpie” në Tv Klan sesi ka nisur të agjërojë për shkak të kushërirës. Këtë vit, agjërimi për të është një falenderim i dyfishtë teksa shprehet mes lotësh se vetëm falë besimit, ia ka dalë të fitojë disa sfida të vështira.

“Unë më shumë mbaj mend herën e parë që  kam agjëruar. Unë jetoja me kushërirën time në shkollën e lartë, në një shtëpi me qira dhe ajo ishte besimtare e devotshme. Në fakt unë vij nga një kulturë familjare besimtarësh, falje namazësh e të tjera me radhë, por gjithmonë unë dhe motra kemi qenë pak ndryshe nga të tjerët. Ndërkohë influenca e saj, gjithmonë më pëlqente sjellja, mënyra sesi fliste, edukimi dhe shpesh shkoja në xhami me të të premteve. Aty pastaj  thashë po e provoj sepse në fillim ti nuk i di as vlerat ose nuk e kupton dot sesi ti vërtet lidhesh shpirtërisht me Zotin apo ndihesh më afër.Ishte një ndër ndjesitë më të bukura që kam përjetuar. Për disa kohë nuk ka ndodhur më agjërimi për shumë arsye të tjera, kurse këtë vit jo ka ardhur natyrshëm, por e kam ndier sikur ka qenë një thirrje më tepër sepse kam dashur ta falënderoj Zotin për shumë sfida që unë kam kaluar dhe nëse nuk do të ishte Ai, nuk do t’i kisha kaluar kaq lehtë kështu që e ndiej si një obligim të dyfishtë falënderimi”, përfundoi Hyrida.

Sprova shëndetësore i forcoi besimin në Zot, stilistja gjen shërimin në muajin e Ramazanit

Afërsia me Zotin është qëllimi kryesor i agjërimit përgjatë muajit të Ramazanit. Ky qëllim shoqërohet me disa përfitime shpirtërore për besimtarët të cilët përmirësojnë veten përmes mësimeve që marrin gjatë muajit të sakrificës.

Stilistja Sada Peca shprehet në programin “Shije Shtëpie” në Tv Klan se për të ky muaj Ramazani ka një rëndësi të veçantë. Ajo po kalon një sprovë shëndetësore dhe që përpara se të niste muaji i shenjtë, filloi faljen e 5 vakteve. Stilistja thotë se ndien që agjërimi për të është shërim.

Sada Peca: Unë jam praktikante dhe përpara se të vinte muaji i Ramazanit, unë po bëj gati një muaj që duke qenë se jam e sprovuar me diçka në lidhje me shëndetin tim, kam nisur të falem 5 vakte. Unë jam praktikante e rregullt e namazeve të mëngjesit, e t  shkuarit në xhami çdo të premte, por muaji i shenjtë  i Ramazanit ka një lloj ndjesie shumë të fortë dhe ka një pikë shumë të fortë që ty të afron më shumë me Zotin dhe të përmirëson ty si njeri. Në rastin tim, ajo çfarë unë jam duke përmirësuar te vetja ime është sjellja ime, durimi, jam bërë më e durueshme, më empatike, kjo gjë ka ardhur gradualisht, jo vetëm në këtë muaj që sapo ka nisur. Përgjatë gjithë kohës që unë kam nisur të agjëroj, jam bërë edhe sebep për të  udhëzuar disa pjesëtarë të familjes sime për të  agjëruar. Për shembull këtë vit, vëllai im ka qenë një person i cili shprehej “besoj në një forcë të mbinatyrshme”, por asnjëherë nuk besonte që ekziston Zoti dhe këtë vit në familjen tonë unë jam bërë sebep që ai të agjërojë për shkak të disa situatave që kemi kaluar në familje me shëndetin tim dhe ka parë forma shumë të mëdha sesa i madh është Zoti, fjala e tij.

Katerina Trungu: Ke parë forcë  në situatat e vështira që ke kaluar?

Sada Peca: Sigurisht që po. Siç e thashë unë jam sprovuar me diçka dhe ka disa muaj që po kurohem me atë sëmundjen që unë po kaloj dhe kur ti je i sëmurë në muajin e Ramazanit nuk lejohet që ti të agjërosh sepse Zoti nuk e ka dhënë me detyrim, por në rastin tim, Ramazani është shërim për mua dhe më ka përmirësuar shumë. Këtë vit e ndiej më shumë se çdo herë tjetër.

Rëndësia e agjërimit në muajin e shenjtë të Ramazanit