Afërsia me Zotin është qëllimi kryesor i agjërimit përgjatë muajit të Ramazanit. Ky qëllim shoqërohet me disa përfitime shpirtërore për besimtarët të cilët përmirësojnë veten përmes mësimeve që marrin gjatë muajit të sakrificës.

Stilistja Sada Peca shprehet në programin “Shije Shtëpie” në Tv Klan se për të ky muaj Ramazani ka një rëndësi të veçantë. Ajo po kalon një sprovë shëndetësore dhe që përpara se të niste muaji i shenjtë, filloi faljen e 5 vakteve. Stilistja thotë se ndien që agjërimi për të është shërim.

Sada Peca: Unë jam praktikante dhe përpara se të vinte muaji i Ramazanit, unë po bëj gati një muaj që duke qenë se jam e sprovuar me diçka në lidhje me shëndetin tim, kam nisur të falem 5 vakte. Unë jam praktikante e rregullt e namazeve të mëngjesit, e t  shkuarit në xhami çdo të premte, por muaji i shenjtë  i Ramazanit ka një lloj ndjesie shumë të fortë dhe ka një pikë shumë të fortë që ty të afron më shumë me Zotin dhe të përmirëson ty si njeri. Në rastin tim, ajo çfarë unë jam duke përmirësuar te vetja ime është sjellja ime, durimi, jam bërë më e durueshme, më empatike, kjo gjë ka ardhur gradualisht, jo vetëm në këtë muaj që sapo ka nisur. Përgjatë gjithë kohës që unë kam nisur të agjëroj, jam bërë edhe sebep për të  udhëzuar disa pjesëtarë të familjes sime për të  agjëruar. Për shembull këtë vit, vëllai im ka qenë një person i cili shprehej “besoj në një forcë të mbinatyrshme”, por asnjëherë nuk besonte që ekziston Zoti dhe këtë vit në familjen tonë unë jam bërë sebep që ai të agjërojë për shkak të disa situatave që kemi kaluar në familje me shëndetin tim dhe ka parë forma shumë të mëdha sesa i madh është Zoti, fjala e tij.

Katerina Trungu: Ke parë forcë  në situatat e vështira që ke kaluar?

Sada Peca: Sigurisht që po. Siç e thashë unë jam sprovuar me diçka dhe ka disa muaj që po kurohem me atë sëmundjen që unë po kaloj dhe kur ti je i sëmurë në muajin e Ramazanit nuk lejohet që ti të agjërosh sepse Zoti nuk e ka dhënë me detyrim, por në rastin tim, Ramazani është shërim për mua dhe më ka përmirësuar shumë. Këtë vit e ndiej më shumë se çdo herë tjetër./tvklan.al