“Në 10 vitet e fundit, për blerje online kam shpenzuar 75 mijë Euro dhe jo 800 mijë.”
Kështu shprehet bashkëshortja e Erion Veliajt, Ajola Xoxa në reagimin e saj të parë lidhur me dyshimet e ngritura nga SPAK për të dhe bashkëshortin e saj. Teksa e cilëson këtë reagim të vonuar, Xoxa thotë se shifrën që akuzohet se e ka shpenzuar për veshje e bizhuteri e ka mësuar nga media 1 ditë përpara gjyqit për vlerësimin e masës.
“Të gjithëve ju që më lexoni, ju kërkoj të parafytyroni vetëm faktin që unë jam e hetuar, por jo e pandehur, pavarësisht se e dënuar dhe e ekzekutuar pa gjyq në gjyqin e politikës, medias dhe rrjeteve sociale. Totali i blerjeve të mija online që përfshijnë veshje, produkte kozmetike dhe parafarmaceutike, aksesorë, etj. (duke mos përfshirë libra, tarifa dixhitale, abonime) është për 10 vite: 75,025 Euro në total (1.1.2015 – 1.1.2025). E kam të qartë që shumëkujt edhe kjo shifër mund t’i duket e madhe, por dua ta theksoj me këtë rast se unë nuk kam lidhje me imazhin e asaj kukullës me 800 mijë Euro fustane dhe bizhu, sepse punoj si juriste dhe avokate prej 17 vjetësh. Punoj edhe si kuratore apo drejtoreshë artistike e vizuale.”
Duke e cilësuar këtë shifër si një “bllof të dhunshëm”, Ajola Xoxa thotë se pafajësinë e saj do ta kërkojë deri në Gjykatën e Strasburgut.
“Të gjitha blerjet e mësipërme janë kryer me kartën time të kreditit dhe i konsideroj produkte të miat, (them “konsideroj” sepse shumë prej tyre janë përdorur gjithashtu për videoklipe apo reklama të cilat unë kam realizuar). Jam porositëse dhe përfituese e vetëm kësaj vlere dhe e asnjë vlere tjetër, që nuk e di pse dhe si është bashkuar, por që nuk ka asnjë lidhje me shpenzime të bëra nga unë apo të përfituara prej meje.”
Krahas të ardhurave që përfiton nga profesioni që ushtron prej vitesh, Xoxa vijon më tej duke treguar se vjen nga një familje e pasur, nga e cila ka trashëguar prona të shumta që përpara se të bëhej bashkëshortja e kryebashkiakut, Veliaj.
“Unë vij nga dy familje të njohura shqiptare. Nga familja e babait tim, kemi trashëguar toka, troje, ndërtesa, shtëpi, etj., si në Tiranë, ashtu edhe jashtë saj. Të tëra të ditura kohë e kohë më parë se sa unë të rritesha e të bëhesha bashkëshortja e Erionit. Gjithashtu, veç mundësive shumë të mira financiare të prindërve të mi, unë kam punuar që fare e re në fushën e avokatisë dhe jam paguar gjithmonë shumë mirë e vazhdoj paguhem shumë mirë.”
Këto fakte të renditura në sqarimin e saj, ajo thotë se do i argumentojë me tabela financiare dhe të noterizuara, që më pas do t’i dorëzojë në GJKKO dhe SPAK.
Tv Klan