Kryesia e Akademisë maqedonase të Shkencave dhe Arteve ka sjell vendim për shkarkim të këshillit redaktues të enciklopedisë së parë të Maqedonisë.
Përmes një kumtese Kryesia e Akademisë ka njoftuar se vendimi për shkarkimin e këshillit redaktues është marrë për shkak të lëshimeve të bëra gjatë përpilimit të enciklopedisë.
Një vendim i tillë është marrë pasi që kryeredaktori i enciklopedisë, Blazheri Ristevski, nuk i ka pranuar sugjerimet për të dhënë dorëheqje si përgjegjës kryesor për përmbajtjen skandaloze të enciklopedisë.
Vendimin e këtillë të Kryesisë së Akademisë e ka përshëndetur edhe qeveria e Maqedonisë.
“Qeveria e republikës së Maqedonisë përshëndet vendimin e fundit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve për shkarkimin e këshillit redaktues i cili mori pjesë në përgatitjen e enciklopedisë kontestuese, gjithnjë duke inkurajuar që të gjitha kontestet, të gjitha mosmarrëveshjet të zgjidhjen brenda institucionit Akademia e Shkencave dhe Arteve.”
Mirëpo historianët shqiptar vlerësojnë se shkarkimi i kryeredaktorit nuk është i mjaftueshëm. Ata vlerësojnë se për skandalin e shkaktuar me enciklopedinë, kryeredaktori Ristovski duket ët përgjigjet edhe penalisht.
“Për shkak të gjitha shpifjeve dhe prishjes së imazhit vendorë dhe ndërkombëtar unë mendoj se Blazheri Ristovski dhe redaksia e tij duhet të japin edhe përgjegjësi penale.”
“Edhe pse këto vendime që sot i solli Akademisë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë janë të mirëpritura, por edhe shfrytëzojmë mundësinë që privatisht të ngremë një akt padi kundër Blazheri Ristovskit dhe kompanisë së tij të cilët shkaktuan gjithë këtë turbullirë dhe më të vërtetë tendencionalisht ofenduan popullatën shqiptare në Maqedoni.”
Shkarkimi i këshillit redaktues të enciklopedisë vjen 3 javë pasi u botua enciklopedia skandaloze e Akademisë maqedonase.
Tani pritet të formohet këshilli i ri redaktues i cili do të bëjë përmirësimin e pjesëve të kontestuaka në të cilin do ët përfshihen edhe shkencëtarë shqiptarë.
Nga Shkupi për TV Klan, Isen Saliu./tvklan.al