Për shkak të atmosferës së tensionuar dhe mundësisë për incidente ndëretnike, u anulua në moment të fundit protesta qendrore e cilat sot duhej të mbahej para qeverisë së Maqedonisë, kundër enciklopedisë maqedonase.
Kryetari i Bashkimit Demokratik Kombëtar, Hysni Shaqiri, në emër të organizatorëve tha se protestat anulohen për shkak të presionit policor.
Hysni Shaqiri: “Duke pasur parasysh, për t’i ikur këtyre provokimeve, për t’ju larguar gjithë këtij skenari kanë përgatitur qoftë qeveria, qoftë Akademia e Shkencave, ju kisha lutur edhe një herë që të shpërndaheni në mënyrë të qetë. Mos bini në provokim.”
Edhe përkundër apelit të organizatorëve, një grup i vogël i protestuesve të grumbulluar protestuan rrugëve të Shkupit.
Paraprakisht në Shkup mbretëronte situatë tejet e tensionuar. Prej vendit ku duhej të fillojnë protestat deri para Qeverisë kishte prezencë të madhe të njësiteve speciale policore.
Para qeverisë u grumbulluan edhe një grup i të rinjve maqedonas të cilët dëshironin t’i pengojnë protestat e shqiptarëve, mirëpo ata u shpërndanë nga ana e policisë.
Ndërkaq qeveria demantoi se ka penguar organizimin e protestave, duke sqaruar se prezenca e policisë ka pasur për qëllim sigurimin e kushteve të nevojshme për mirëvajtjen e tyre.
Shefik Duraku: “Ne si qeveri, institucionet qeveritare sot kanë qenë në funksion të mbarëvajtjes dhe të sigurimit të mirëvajtjes të kësaj proteste.”
Një ditë pas vendimit të akademisë maqedonase për ta tërheqë enciklopedisë nuk janë ndalur reagimet e partive opozitare shqiptare.
Partia Demokratike Shqiptare ka vlerësuar se për evitimin e pasojave nuk mjafton tërheqja e enciklopedisë, por nevojitet përmbysje e qeverisë aktuale.
Ndërkaq Demokracia e Re ka pyetur pushtetin se kush do të mbajë përgjegjësi për ftohjen e raporteve ndëretnike që ka shkaktuar Enciklopedia.
Nga Shkupi për TV Klan, Isen Saliu./tvklan.al