Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronës prej fillimit të kësaj jave ka filluar të pranojë aplikimet e qytetareve për efekt të kompensimit financiar. Drejtori i AKKP-së, Elvis Çepa, thotë se janë marrë masat që ky proces të shkojë normalisht.
Elvis Çepa: “Në këto dy dit, procesi ec me ritme të mira, me ritme të kënaqshme. Kemi administruar po thuajse rreth 40 kërkesa në dit, nga e cila pjesa më e madhe, janë subjekte që kanë aplikuar vitet e mëparshme”.
Subjektet e shpronësuar që përmbushin kriteret e vendosura nga AKKP-ja, do të përfitojnë kompensim deri në 200 metra katrore, ku përparësi do të kenë ata që datojnë një vendim më të hershem në kohe.
Elvis Çepa: “Ato idetë kryesore janë 4. Pra e gjithë prona duhet të jetë për kompensim, nuk duhet të ketë përfituar nga kompensimet financiare ose fizike të mëparshme, nuk duhet të ketë përfituar nga e drejta para blerjes dhe nuk duhet të ketë përfituar tokë nga zbatimi i ligjit 7501 për tokën. Precedenca kryesore do i jepet vendimeve të cilët datojnë më herët në kohë”.
Afati i pranimit të aplikimeve është 30 ditë ndërkohë që sipas Çepës, brenda shtatorit do të jenë gati lista me personat përfitues. Këtë vit shuma për kompensimin financiar të pronës është 600 milionë lekë apo 100 milionë lekë më shumë se vitin e kaluar./tvklan.al
Gazetari: Fjorald Zguro