Vendimi e qeverisë për kalimin e sipërfaqeve të oborreve në favor të poseduesve, u krijon këtyre të fundit mundësinë të certifikojnë pronën. Drejtori i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronës, institucion që do të ndjekë nga afër këtë proces tha se në këtë mënyrë i jepet zgjidhje ligjore ngërçit të krijuar.
Elvis Çefa: “Me anë të këtij vendimi të këshillit të ministrave tashmë i është dhënë zgjidhja ligjore e ngërçit të mos pajisjes dot me certifikatë pronësie për oborrin e tyre të personave të cilët praktikisht zotërojnë se janë pronarë të shtëpisë. Përfitoj nga ky rast që ti bëj thirrje të gjithë personave të interesuar që të paraqiten në të gjitha zyrat rajonale të agjencisë së kthimit dhe kompensimit të pronave në mënyrë që të pajisen dhe të njihen me gjithë dokumentacionin juridik, ligjor që duhet të plotësojnë.”
Ndërsa, në lidhje me shpërndarjen e fondit për kompensim për vitin 2009 me vlerë prej rreth 600 milionë lekëve, kreu i AKKP-së tha se kjo është çështje ditësh. Nga viti 2007 e deri më tani AKKP ka dhënë mëse 8200 vendime ndërkohë që ka shpërndarë 1,3 miliardë lekë kompensim financiar për 340 pronarë./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro