Segmenti rrugor Durrës-Kavajë është kthyer prej disa javësh në një kantier ndërtimi.

Përgjatë kësaj hapësire janë prerë të gjitha pishat, të cilat janë zëvendësuar me ndërtime të ndryshme që sipas banorëve nuk respektojnë asnjë lloj kriteri.

Një rast i tillë është ai i ndërtimit të një objekti në segmentin Rrashbull-Golem, i cili ka bërë që shumë pushues të ndërpresin pushimet dhe të largohen prej zonës.

“Largohen. Vijnë këtu tiranasit. Kanë ardhur dhe nga Korça. Kanë ikur. Kanë parë punimet këtu, kanë ikur. Kanë ardhur nga Kosova, nga Mali i Zi. Gjithandej kanë ardhur”.

“Shumë na bezdisin. Ne po vijmë me fëmijë kemi frikë të ecim rrugës afër, këtu afër hotelit. Po ikim tashi nga plazhi. Ku të rrimë? Ku të rrish këtu? Karburantet ngjitmas, punime po, pisha jo. S’ke pse rri këtu në Durrës. Më mirë të ikësh”.

Në tabelën e firmës, e cila ka nisur punimet, ndër të tjera shkruhet se vendimi për fillimin e punimeve është marrë nga komuna Rrashbull-Durrës, ndërkohë që kreu i KRRTS-së i kësaj komune, kontaktuar nga TV Klan, nuk ka pranuar të komentojë lidhur me çështjen.

Ndërtimi i objekteve në segmentin Rrashbull-Golem është pezulluar nga Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës deri në hartimin e studimit të ri urbanistik, gjë që nuk ka penguar ndërtuesit e firmës të mos e zbatojnë atë hapur edhe në mes të ditës./tvklan.al