Aksidenti me pasojë vdekjen e një 30-vjeçari mbrëmjen e së dielës në aksin Lezhë – Milot e ka çuar në 4 numrin e personave që kanë humbur jetën në këtë segment rrugor gjatë vitit 2024.
Po në periudhën Janar – Tetor në këtë aks, krahas viktimave si pasojë e aksidenteve, kanë mbetur të plagosur rëndë dhe 15 qytetarë.
Për ekspertët kjo rrugë ka të gjithë sinjalistikën e nevojshme, por kthimi i saj në një njollë të zezë aksidentesh vjen së pari për shkak të sjelljes së shoferëve.
“Ajo rrugë kërkon dy gjëra; të ruhet distanca midis mjeteve, të mos ketë parakalime të gabuara dhe mbi të gjitha të respektohen tabelat e kufizimit të shpejtësisë”, thotë eksperti rrugor Fatmir Hasho.
Jo vetëm drejtuesit e automjeteve, por dhe këmbësorët janë shpesh herë shkaktarë të ngjarjeve rrugore dhe kjo sipas ekspertëve e ka një shpjegim.
“Këmbësorët nuk kanë punë në karrexhatë. Për të kaluar nga njëri krah në tjetrin duhet të kenë kujdesin maksimal. Por këtu vijmë prapë te edukimi i mangët që kemi ne për popullsinë lidhur me rregullat e qarkullimit rrugor”.
Lezha për shkak të lëvizjes së shtuar të automjeteve që qarkullojnë në të, është evidentuar si një qark me një numër të lartë aksidentesh.
Në 9 muaj në këtë qark janë regjistruar 118 aksidente me 9 viktima.
Tv Klan