Një tjetër aksident i rëndë fatmirsisht pa viktima është shënuar në orët e para të mëngjesit, midis trenit të udhëtarëve të linjës Tiranë – Durrës dhe një autobusi me pasagjerë që vinin nga Shijaku për në Durrës. Ka qënë ora 6 e 50 minuta kur autobusi i linjës po kalonte në postobllokun e Rrashbullit, moment në të cilin ka ndodhur dhe përplasja me trenin. Roja e postobllokut hekurudhor Osman Vejkollari shprehet se i ka bërë shenjë autobusit të ndalojë, ndërkohë që ai ulte traun për kalimin e trenit.

Osman Vejkollari: “Dy makina ishin në linjë, kaluan shpejt, kapa traun për ta ulur, jap sinjal për të ndaluar autobusi qe po hynte. Ndalojë në linjën e trenit, e paralajmërova të kthehej mbrapa sepse treni ka hyrë në linjë dhe po afrohet shumë, trau i ulur, i jap sinjal trenit për të ndaluar por distanca ishte shumë e vogël dhe ishte e pamundur të evitohej”.

Ndërësa shoferi i autobusit Bukurosh Çela nga ana e tij pretendon se nuk është lajmëruar duke e pasur rrugen e lirë.

Bukurosh Çela: “Trau ishte i ngritur, dy makina të vogla kaluan para autobusit dhe tek shinat ndaluam, trau ishte krejtësisht i ngritur, treni ishte shumë afer, as 20 metra”.

Si pasojë e përplasjes 20 pasagjerët e autobusit janë shoqëruar në spital për të marrë ndihmën e parë mjeksore pasi kishin pësuar dëmtime të lehta. Postoblloku i Rrashbullit mbetet një nga pikat kyçe ku ndodhin shpesh aksidente të rënda midis automjeteve dhe trenave të udhëtarëve./tvklan.al