Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Një tragjedi e vërtetë ka ndodhur pasdite në rrugën Pukë-Fushë Arrëz. Një autobus me të cilin udhëtonin 50 maturantë nga Kosova ka rënë në humnerë duke shkaktuar 15 të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të plagosur.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:30 minuta, në vendin e quajtur “Ura e Bicjve”, vetëm 2 km pa mbërritur në Fushë Arrëz. Një automjet tip Benz me targa italiane, që drejtohej nga një i ri nga Fushë Arrëzi, emigrant në Itali, ka parakaluar në mënyrë të gabuar duke i prerë rrugën autobusit. Drejtuesi i autobusit nuk është treguar shumë i shkathët në manovrim dhe mjeti ka dalë nga rruga duke u hedhur 50-60 metro në humnerë.

Lartësia ka qenë aq tragjike, sa çatia e autobusit është shkëputur nga trupi dhe nxënësit kanë dalë jashtë tij. 14 gjimnazistë dhe drejtuesi i Benzit kanë vdekur në vend, ndërsa të tjerët kanë marrë plagë të rënda.

Florion Seriani: “Me të marrë njoftimin në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë lokale dhe të polici ve të rretheve më të afërta. Nga Tirana janë nisur tre helikopterë të Ministrisë së Rendit, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Në vendngjarje ka shkuar ministri i rendit dhe ministri i mbrojtjes. Forcat e policisë, ushtrisë dhe ato të mbrojtjes civile, janë duke punuar për të nxjerrë personat nga humnera. Ndërkohë janë marrë të gjitha masat për të transportuar të plagosurit për në Tiranë.”

Aktualisht në spitalin e Pukës ndodhen 14 kufoma. Kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi ka mbërritur urgjent në Tiranë ndërsa Kosova e ka shpallur ditë zie ditën e nesërme./tvklan.al