Trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi ka humbur dy prindërit e tij, pas një aksidenti tragjik të ndodhur në Greqi.
Automjeti me të cilin po udhëtonin, Ali (75 vjeç) dhe Bukurije Bushi (71 vjeç), u përplas nga një fugon në rrugën “Egnatia” në aksin Veria-Selanik dhe si pasojë e kësaj, dy prindërit e trajnerit Alban Bushi ndërruan jetën.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbolli, Armand Duka, nëpërmjet një postimi në profilin e tij, i ka shprehur ngushëllimet e tij trajnerit Bushi, për humbjen e madhe.
“Sapo mësova lajmin e dhimbshëm për ndarjen tragjike dhe të parakohshme nga jeta të dy prindërve të jashtëzakonshëm, njerëzve të mirë, Ali dhe Bukurije Bushi, në një aksident në Greqi.
Në këtë moment të vështirë, mendimet e mia shkojnë tek Albani dhe të gjithë anëtarët e tjerë të familjes, që përveç trishtimit për këtë humbje të madhe, do të përballen edhe me mungesën e pamatë të dashurisë prindërore.
Në emrin tim personal dhe të Federatës Shqiptare të Futbollit, ku Albani ka kaluar shumë vite si pjesë e kësaj familjeje të madhe, shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Qoftë kujtimi i tyre i paharruar!”, shkruan Duka.
Ndërkohë mediat greke, kanë zbuluar edhe pamjet nga vendi ku ka ndodhur aksidenti.
/tvklan.al