Në muajin Prill të vitit 2017, qytetari Bledar Markja u përfshi në një aksident. Duke drejtuar një motorçikletë, ai përplasi një fëmijë 10 vjeç. Fatmirësisht i mituri pësoi lëndime të vogla dhe pa rrezik për jetën. Bledar Markja qëndroi 72 orë në paraburgim dhe më pas gjykata vendosi ndaj tij 6 muaj detyrim paraqitje.
Duke ndjerë peshën e fajit, Bledar Markja shkoi takoi familjen e fëmijës së aksidentuar dhe u ofroi ndihmë financiare si detyrim për atë që kishte ndodhur. Mirëpo, babai i 10-vjeçarit nuk kërkoi asgjë dhe të dy bashkë firmosën një kontratë noteriale ku i ati i të miturit nuk kishte asnjë pretendim.
Në muajin Prill 2019, Bledar Markja merr një letër nga Byroja Shqiptare e Sigurimit, e cila e informon se duhet të paguajë 5 milionë Lekë të vjetra dhe ka afat deri në muajin Qershor. Bledar Markja ka kërkuar ndihmën e emisionit “Stop” në Tv Klan për të zgjidhur këtë situatë, për të cilën thotë se nuk ishte në dijeni. Rezulton që familja e fëmijës së aksidentuar, me ndihmën e një avokati, kishte bërë padi në Gjykatë dhe kërkonte detyrim financiar.
Mirëpo, Bledar Markja nuk ishte thirrur në këtë gjykim si palë e përfshirë në aksident dhe nuk ishte vendosur në dijeni. Duke qenë se në momentin kur bëri aksidentin motorçikletën nuk e kishte të siguruar, Byroja Shqiptare e Sigurimit i kërkon atij tani 5 milionë Lekë të vjetra, edhe pse ai ka një akt noterial me babain e fëmijës, ku ky i fundit nuk ka asnjë pretendim.
Bledar Markja:
“Më 4 Prill 2017 jam përfshirë në një aksident me motorçikletë. Kam përplasur një fëmijë 10 vjeç. Jam përgjigjur për çdo gjë dhe në momentin që kanë dalë nga spitali kam vajtur te shtëpia e zotërisë së fëmijës që kam përplasur edhe kam rënë në marrëveshje me atë për çdo gjë që ka nevojë fëmija në ato momente. Në rregull më thotë i ati i fëmijës, nuk kemi asnjë problem. E marr dhe shkoj te një noter që të firmos një dokument me të atin e fëmijës, që s’kam asnjë detyrim ndaj të aksidentuarit. Më datë 05.04.2019 më vjen një letër nga Byroja Shqiptare e Sigurimit dhe kjo letër me thotë që keni detyrim të paguani 5 milionë Lekë të vjetra. Shkoj te Byroja Shqiptare e Sigurimit dhe atje më thonë që duhet të paguash këtë brenda muajit Qershor. Unë nuk e di për çfarë bëhet fjalë se unë kam një akt noterial që e kam përmbyllur si çështje. Më thanë që nëse ti nuk i paguan brenda muajit Qershor, do të hedhim në gjyq. Në momentin e aksidentit kam bërë 72 orë, kam dalë në gjykatë dhe jam dënuar me 6 muaj detyrim paraqitje për këtë problem”.
Për këtë situatë të krijuar, gazetarja e emisionit “Stop” iu drejtua ekspertit Gëzim Hoxha, i cili tha se në asnjë rresht të vendimit nuk shkruhet se fajtor është Bledar Markja. Familjarët e të dëmtuarit kanë hedhur Byronë në gjyq, por avokati duhet të kishte kërkuar dhe personin që pretendohet të ketë qenë shkaktar.
Eksperti Gëzim Hoxha:
“Kam këtu përpara meje vendimin e gjykatës që e dënon këtë qytetar për qarkullim me motorçikletë pa leje drejtimi, pra kjo është vepër penale dhe si e tillë është dënuar. Por nuk ka asnjë rresht të vetëm të shkruar që ky është shkaktar determinant për aksidentin. Mbi bazën e kësaj, familjarët i janë drejtuar një avokati i cili ka hedhur Byronë Shqiptare të Sigurimeve në gjyq dhe kërkon një dëmshpërblim. Por, avokati patjetër duhet të kishte dhe personin i cili do t’i paguajë këto lekë. Dhe ky duhet të ishte pjesëtar në gjyq sepse gjatë procesit gjyqësor çdo njeri ka të drejtë të dali para gjykatës. Nuk mundet që ky qytetar të paguajë lekë kur nuk ka një përfaqësues ligjor. Ose duhet të merrte pjesë vetë ose të kishte një përfaqësues ligjor. Vetë Byroja duhet të kishte kërkuar në seancë gjyqësore që të thërritej personi. Pra, ky njeri nuk mund të paguajë një dëm që vendoset duke u përfaqësuar nga të tjerë në gjykatë. Pra nëse ky nuk merr njoftime, nuk mund t’ia shkelësh të drejtat, nuk mund ta gjykosh njërin në mungesë. Ky është gjykim në mungesë”.
Nga ana tjetër, juristi i Byrosë Shqiptare të Sigurimeve, Dardan Gjata, thotë se ky institucion ka kërkuar si palë të tretë shkaktarin e aksidentit, sipas nenit 192. Por Gjykata nuk ka pranuar, me arsyetimin se zgjidhet me padi regresi.
Juristi Dardan Gjata: “
Në ditën që ka ndodhur aksidenti, automjeti i qytetarit Bledar Markja nuk ka qenë i siguruar. Kur ka qenë në çështje gjyqësore, juristja që ka përfaqësuar Byronë Shqiptare të Sigurimit ka kërkuar pranë Gjykatës së Tiranës për thirrjen e palës së tretë. Në të gjitha rastet ne e kërkojmë palën e tretë që të njihet se çfarë po ndodh. Dhe gjykata fatkeqësisht, në 99% të rasteve, nuk e ka pranuar këtë gjë me arsyetimin se zgjidhet me palën e tretë me padi regresi. Mirëpo kur të vijë puna të zgjidhet me padi regresi, Byroja nuk ka çfarë të zgjidhi më. Përveç se një padi regresi ku do t’i kërkojë shkaktarit të dëmit të kthejë detyrimin”.
/tvklan.al