Megjithëse policia e kërkonte prej dy vitesh 38-vjeçarin Gaqo Gjini, ai kishte shkuar për të pushuar tek të afërmit e tij në Radhimë të Vlorës. Në regjistrat e komisariatit të Vlorës ndaj tij rezultonin jo pak, por tre akuza, ”Plagosje e rëndë me dashje”, ”Kundërshtim i punonjësve të policisë” dhe ”Armëmbajtje pa leje”.
Gjini ka qenë edhe një nga të dyshuarit për grabitjen e një banke në Vlorë, dy vite më parë. Informacioni se ai ndodhej në Rradhimë rezultoi i saktë për uniformat blu, që rrethuan zonën për arrestimin e tij.
Në njoftimin zyrtar thuhet se “
i kërkuari ka rezistuar duke tentuar të godasë me mjete prerëse një prej punonjësve të Policisë. Efektivi në kushtet e vetëmbrojtjes e ka neutralizuar duke e goditur me armë një herë në këmbë”.
Korrespondenti i Televizionit Klan tha se shumë pranë vendit ku ndodhi përplasja me armë, qëndronin një grup turistësh polakë që kishin prenotuar një hotel për pushime. Të shtënat me armë dhe dhjetëra policë pranë vendit të ngjarjes kanë shkaktuar panik mes pushuesve.
Për Gaqo Gjinin nuk qe hera e parë që përplasej me uniformat blu. Në vitin 2016, ai u përfshi në një sherr me policët, por u lirua me kusht pak kohë më pas. Në Gusht të atij viti mori pjesë në grabitjen e një banke, bashkë me shokun e tij Kostandin Shakaj.
Nga grabitja të dy u larguan me 6 milionë lekë dhe 36 mijë euro, por ndërsa Shakaj u arrestua disa ditë më pas, Gaqo Gjini ia doli të jetonte në arrati për dy vite. Deri kur, pushimet morën fund.
Tv Klan