Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Aksioni i policisë ndërtimore për prishjen e ndërtimeve pa leje është shtrirë edhe në Sarandë. Me vendim të KRRTRSH, 189 objekte në Sarandë dhe Ksamil, do të shemben brenda një jave nga fadromat e ndërtimores. Aksioni i shembjes në Sarandë ka nisur me prishjen e Disko Afrikas, ndërsa janë hedhur në toke dhe me dhjetëra objekte të tjera, të ngritura buzë detit.
Mark Nikolli: “Mendojmë që në këtë aksion frontal, duke përqendruar mjetet dhe forcat që kemi si institucion, të përfundojmë edhe impenjimin tonë ligjor, në zbatim të planit të veprimit dhe programit të masave, të miratuar nga Ministri i Rregullimit të Territorit, zoti Fino, me idenë që të përfitohet një vijë bregdetare sterile, nga ndërtimet pa leje”.
Drejtori i përgjithshëm i policisë ndërtimore Mark Nikolli, ka garantuar se aksioni nuk do të përfshijë shembjen e asnjë banese.
Mark Nikolli: “Banesat, të cilat janë të përqendruara kryesisht në lagjen “Timion” të Sarandës, në afërsi të portit, nuk janë goditur, nuk janë cenuar. Në kuptimin e përshtatjes me studimin urbanistik të miratuar në KRRTRSH dhe më tej pastaj do të jenë edhe iniciativat ligjore të cilat do të amortizojnë apo do të zbusin, fatura sociale që mund të krijoheshin nga goditja dhe prishja e objekteve që janë shtëpi banimi.”
Aksioni për shembjen e ndërtimeve pa leje në bregdetin jonian ka nisur tre javë më parë në Vlorë dhe do të finalizohet në fund të këtij muaji, pasi do të jenë prishur të gjitha objektet pa leje në Sarandë./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka