Aksioni i tatimorëve në Fier për kalimin e rreth 200 subjekteve në biznes të madh duket se po has në kundërshtimin e tregtarëve që deri më tani ishin regjistruar si biznese të vogla dhe i paguanin taksat në arkat e bashkisë. Ata shprehen se xhiroja vjetore nuk justifikon kalimin e tyre në biznes të madh duke kërkuar nga tatimorët të ndëshkojnë bizneset informale.
Tregtare: “Nuk po bëjmë punë fare si do futemi në biznesin e madh. S’ka xhiro fare, unë kam 10 vjet që e kam hapur këtë dyqan, ka plot të tjera që e kanë hapur. Dyqani është i mbushur plot, klient nuk ka.”
Tregtar: “Unë paguaj TVSH, duhet ta shes TVSH-në që blej edhe ai personi tjetër që quhet person fizik ku ta justifikoj. Normalisht biznesi i madh paguan taksë më shumë, prandaj biznesi i vogël duan të rrinë në biznes të vogël shumica, sepse taksat i kanë më të lira.”
Tregtar: “Unë jam biznes që kam një xhiro shumë të vogël. Jam një dyqan që kam 4m2, kur punon i gjithë Fieri i pa licencuar. Nuk arrij unë kurrë në biznes të madh se biznesi i madh nuk ka filluar firmat e mëdha.”
Por drejtori i Tatimeve në këtë qytet thotë se rregullat për kalimin e subjekteve nga biznes i vogël në të madh janë të përcaktuara qartë dhe për ata që nuk do të pranojnë do të ketë masa ndëshkuese.
Dervish Beqiraj: “Baza e tatimeve është ligji i procedurave tatimore në Republikën e Shqipërisë dhe mos zbatimi i këtij ligji ka nenet përkatëse për penalitete.”
Subjektet që do të klasifikohen si biznes i madh do të duhet të paguajnë pranë administratës tatimore tatimin mbi vlerën e shtuar e njohur ndryshe si TVSH dhe tatimin mbi fitimin. Këto biznese do të jenë të parat që do të pajisen me kasat fiskale për të cilat është lënë afat deri në fund të vitit./tvklan.al