Aksioni i tatimorëve në Fier për kalimin e rreth 200 subjekteve në biznes të madh duket se po has në kundërshtimin e tregtarëve që deri më tani ishin regjistruar si biznese të vogla dhe i paguanin taksat në arkat e bashkisë.

Ata shprehen se xhiroja vjetore nuk justifikon kalimin e tyre në biznes të madh duke kërkuar nga tatimorët të ndëshkojnë bizneset informale.

“S’po bëjmë punë fare. Qysh do futemi në biznes të madh? Ne s’kemi, s’ka xhiro fare. Kur unë kam 10 vjet që e kam hapur këtë dyqan ka plot të tjera që janë hapur. Dyqani është i mbushur plot, klientë s’ka”.

“Unë paguaj TVSH. Dua ta shes TVSH që blej. Edhe ai personi tjetër që quhet person fizik ku ta justifikojë. Normalisht TVSH-ja biznesi i madh paguan taksa më shumë, prandaj biznesi i vogël duan të rrinë në biznes të vogël shumica, sepse taksat janë më të lira.”

“Unë jam një biznes që e kam një xhiro shumë të vogël. Jam një dyqan që ka 4 metra katrorë kur punon i gjithë Fieri i palicencuar. Unë nuk arrij kurrë në biznes të madh se nuk ka filluar biznes të madh nuk kanë filluar firmat e mëdha”.

Por drejtori i tatimeve në këtë qytet thotë se rregullat për kalimin e subjekteve nga biznes i vogël në të madh janë të përcaktuara qartë dhe për ata që nuk do të pranojnë do të ketë masa ndëshkuese.

Dervish Beqiraj: “Baza, baza e tatimeve është ligji i procedurave tatimore në Republikën e Shqipërisë dhe moszbatimi i këtij ligjit ka nene përkatëse për penalitete”.

Subjektet që do të klasifikohen si biznes i madh do të duhet të paguajnë pranë administratës tatimore tatimin mbi vlerën e shtuar, e njohur ndryshe si TVSH dhe tatimin mbi fitimin.

Këto biznese do të jenë të parat që do pajisen me kasat fiskale për të cilat është lënë afat deri në fund të vitit./tvklan.al