Rama: Shteti i mban me qira deri sa të ndërtohet shtëpia
Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit ka vijuar aksionin për shembjen e objekteve që preken nga projekti i lagjes së re tek “5 Maji”. Një pjesë e vogël e banorëve vijojnë të kundërshtojnë shembjen e banesave, për të cilat Bashkia e Tiranës ka garantuar se do të dëmshpërblehen 100 % për pronën e tyre.
Një banore i është drejtuar kreut të qeverisë Edi Rama përmes rrjeteve sociale, duke i quajtur shembjet tek 5 Maji si veprime jashtë logjikës njerëzore duke rikthyer komunizmin.
Por kreu i qeverisë i është përgjigjur duke thënë se në asnjë asnjë diktaturë shteti nuk jepte shtëpi pasi shembte objektet pa leje.
“Në cilën diktaturë zonjë, shteti të jep shtëpi pasi të prish banesën pa leje dhe sa të të ndërtohet shtëpia të mban me qira, ku, kur ka ndodhur diçka e tillë? Fyerjet nuk janë argumente, ndërsa përmendja e diktaturës pa lidhje fare është fyerje për të gjitha viktimat e diktaturës”, shkruan Rama.
Sipas VKM të gjithë banorëve që do ju shemben shtëpitë do të trajtohen do të marrin 100 % metra katror për objektin dhe truallin dhe do të trajtohen me bonus qiraje deri në përfundimin e banesave të reja.
Lagjja e re “5 Maji” do të kthehet në një qendër të re urbane për 11 mijë banorë, me apartamente, njësi shërbimesh tregtare, shkolla, kopshte, çerdhe dhe godina institucionesh.
Tv Klan