Lajme Arkiva 2003

Ishulli i Zvërnecit në jug të lagunës së Nartës është një nga mrekullitë e natyrës, ku njerëzit pak kanë arritur të vënë dorë deri më sot. Ndërsa natyra ka rrethuar këtë tokë me ujërat e detit Adriatik duke krijuar edhe një pyll natyral të hershëm me drurë halorë, kryesisht me qiparis të llojit selvi. Pranë pyllit me drurët e njohur nga banorët e zonës si drurë të shenjtë 5 shekuj më parë është ngritur edhe një manastir.

Quhet ishulli i Zvërnecit por ndryshe njihet edhe si Ishulli i Manastirit dhe kjo për shkak të këtij manastiri të bukur të ndërtuar në shekullin e XIV me stilin bizantinë.

Murgjit ortodoks e kanë pagëzuar manastirin me emrin e Shën Marisë. Zona e Zvërnecit përreth dëshmohet si vendbanim i lashtë i mijëvjeçarit të parë para Krishtit. Lulëzimin e saj kjo zonë e banuar e ka arritur në shekullin e III p.e.s ndërsa në zonën e Zvërnecit mendohet se dikur shtrihej qyteti mesjetar i Spinaricës.

Këtë ishull ku peizazhi natyror gërshetohet me bukurinë e ndërtuar nga dora e njeriut e ka zgjedhur ministria përkatëse  për të finalizuar aktivitetet për Ditën Botërore të Mjedisit.  Në një aktivitet promovues me nxënës të shkollave dhe autoritete të zonës ministri Xhuveli ka shpjeguar se jo pa shkak është zgjedhur Vlora dhe kjo zonë e bukur natyrore. Ndërkohë që PNUD ka filluar tashmë zbatimin e projekteve për mbrojtjen e zonës ekologjike.

Lufter Xhuveli: Shqipëria nuk ka probleme vetëm me mjedisin. Shqipëria është një vend që dallohet për resurset e shumta natyrore dhe për peizazhin e bukur i cili është prezent gjithandej dhe në këtë ditë finale ne donim që të evidentonim vlerat e natyrës shqiptare, resurset natyrore të saj, peizazhet e bukura dhe kuptohet, dihet nga të gjithë që Vlora është një nga vendet me pasuritë më të mëdha natyrore në Shqipëri.

Këtë vit Dita Botërore e Mjedisit përqendrohet mbi problemet e ujit pasi numri i banorëve në tokë që kanë pamundësi  për të siguruar furnizimin me ujë është mjaft i lartë ndërsa vendi ynë gëzon hapësirat dhe burimet e nevojshme ujore, por gjithmonë mënyrat e shfrytëzimit lënë për të dëshiruar./tvklan.al