Aktorja Zamira Kita një nga momentet më të vështira të jetës së saj kujton humbjen e vëllait.
“Kam pasur momente të vështira, por më të dhimbshmet, më tragjiket në jetën time personale kanë qenë humbja e vëllait tim dhe në jetën time profesionale vdekja e Aleko Prodanit në skenë kur unë kam qenë duke interpretuar me të. Këto janë momente të vështira të cilat duhet t’i përballosh ashtu siç duhet. Për vdekjen e vëllait ne ishim përgatitur…”
Aktorja nuk mundi t’i mbante dot lotët kur në studion e “E ardhmja është vajzë”, u shfaq një foto e saj me të vëllain e ndjerë.
“Nuk e mendova që mund të kishit një foto me vëllain. Ishim përgatitur se e dinim se sëmundja po rëndohej dhe ai nuk do ta përballonte. E kam humbur 52 vjeç. E donte shumë jetën, luftoi shumë së fundmi, nuk ia dolëm dot, as ai, as ne. Kishte shumë besim tek unë dhe më shikonte si shpëtimtare, sikur unë do t’ia gjeja zgjidhjen me njohjet që kisha. Unë u përpoqa shumë… por nuk ia dolëm dot. Është moment shumë i vështirë, por unë u bëra e fortë sepse doja të isha në krah të nënës time që pësoi një humbje të tillë dhe të dyja motrat qëndruam pranë saj për t’ia lehtësuar dhimbjen. Asaj nuk i lehtësohet kurrë, por ne bëmë sa mundëm. M’u desh të bëhesha e fortë për këtë gjë. Edhe për fëmijët e tij, për vajzën dhe djalin, që nuk arriti t’i gëzojë. Ata u rritën, por i la në një moshë që kishin shumë nevojë për babain. Unë jam pranë tyre, do jem gjithë jetën. Më duket se sytë e tij gjithmonë më kërkojnë ndihmë për ta”./tvklan.al