Hapi i radhës për Dorina Memën është politika. Në këtë ditë Krishtlindjesh, teksa përçoi mesazhin e saj për shqiptarët nga studioja e “Shije Shtëpie” në Tv Klan, ajo tha se është fokusuar për të qenë zëri i tyre. Mema synon të hyjë si një grua konservatore në politikë për vitin 2025 pasi sipas saj, kjo është edhe kërkesa e njerëzve.
Katerina Trungu: Je fokusuar shumë këtë vit te shqiptarët në tërësi…
Dorina Mema: Patjetër. Po u plotësoj edhe një dëshirë, ata po më kërkojnë të pranishme si zë konservator në politikë dhe besoj se do ua jap këtë shans.
Katerina Trungu: Vërtet?
Dorina Mema: Patjetër.
Katerina Trungu: E ke në plan t’i hysh politikës?
Dorina Mema: Patjetër. Është detyrë. Duhet një zë konservator sepse ka qenë shumë i vakët, ka qenë shumë i kapur dhe ka qenë shumë i ndrydhur. Këtë e them me bindje të plotë pasi kemi pasur kohë mjaftueshëm të jetës për t’u maturuar dhe duke jetuar këtu, duke e dashur Shqipërinë kaq shumë se këtu do të jetojmë besoj se nuk i dihet jetës, por është shpresa e mirë që duhet edhe zëri i një gruaje konservatore.
Katerina Trungu: Pra qëllimi yt është që të investosh në Shqipëri, plani fillestar , kryesor i yti është që ti të fokusohesh këtu.
Dorina Mema: Potencialin tim t’ia jap Shqipërisë.
Ndërsa shpjegoi motivet që e çuan drejt kësaj zgjedhjeje, Mema shtoi se do të përfaqësojë konservatorizmin me nuanca moderne e që i përshtatet edhe kohës e kontekstit ku jetojmë.
Dorina Mema: Besoj se është koha ta forcojmë pak konservatorizmin, ë? Konservatorizmi, absolutisht me nuanca moderne, me nuancën e modernes së teknologjisë. Nuk mund t’i themi dot modernizim degjenerimit të qenies njerëzore. Modernizim në shkencën tonë të bioteknlogjisë është vënia e çdo strukture, e çdo zhvillimi, e çdo inovacioni në shërbim të qenies njerëzore, të shëndetit njerëzor, të mendjes njerëzore dhe lehtësirave në jetën tonë./tvklan.al