Kimia skenike e Zamira Kitës dhe Arben Dervishit nuk është e panjohur, aq më tepër edhe me shfaqjen e fundit, “Karnavalet e Korçës” që rezultoi një sukses. Por për t’iu rikthyer viteve të tyre së bashku në skenë, programi “Rudina” në Tv Klan shfaqi disa prej momenteve më të bukura. Nga biseda, rezultoi se në fakt, shfaqja e vërtetë paskan qenë prapaskenat.

Ben Dervishi përmendi një episod në Laç kur gjatë kohës që jepnin shfaqje, Zamira shkurtonte skeçin qëllimisht. Kjo solli një problem me regjisorin, por që gjithçka u mbyll me humor mes tyre.

Zamira Kita: Unë zakonisht përtoja shumë kur shkonim nëpër fshatra, nëpër qytete se i kishim aq të shpeshta shfaqjet sa lodhesha dhe i bija skeçit, ia nxirrja në fund Benit, e kupton, ia shkurtoja.

Arben Dervishi: Jepnim nga dy shfaqje në ditë.

Zamira Kita: Ky e kuptonte një herë, dy herë dhe thoshte “moj, mbaroi skeçi shumë shpejt, nuk thamë shumë gjëra”, obobo gabim i thosha unë, ditën tjetër prapë unë, fap, ia nxirrja në fund. Një herë, dy herë dhe i doli Leko Prodanit përpara.

Arben Dervishi: Më doli Lekoja. Unë po bëja debat, si e shkurtove, pse e shkurtove prapë skeçin? Edhe më doli Lekoja, i thashë Leko, thuaji Zamirës, po na shkurton skeçet, i lamë përgjysmë. 

Zamira Kita: Lekoja u mërzit shumë, tha “nesër mbledhje, mbledhje e organizatës, bashkimeve  profesionale”, ishte problem i madh në atë kohë. Unë e pashë Lekon, i thashë më fal, unë gabim e bëra, ndërkohë Beni përballë me mua dhe “më fal të keqen byrazeri se më doli Lekoja përpara dhe sesi ia thashë, nuk e di” se problem i madh. Por ne ishim shumë të lidhur të dy,e kujtojmë shumë shpesh atë./tvklan.al