Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Forca të shumta policore kanë rrethuar godinën ku është vendosur gazeta e përditshme “Koha Jonë” dhe Televizioni Koha, rreth orës 13:40 minuta. Duke imponuar terror dhe frikë tek njerëzit që ndodheshin brenda, policët kanë nxjerrë jashtë të gjithë gazetarët që ndodheshin aty me argumentin se kishin alarm për vendosje bombe në këto mjedise. Menjëherë është bërë rrethimi i zonës dhe në vend kanë ardhur forca të shumta policore anti-terrori dhe ato speciale.

Askush prej drejtuesve të policisë nuk sqaron zyrtarisht gazetarët apo drejtuesit e gazetës për shkakun formën dhe ligjshmërinë e operacionit. Në këto kushte kryeredaktori i gazetës mendon se ky është një operacion i dyshimtë.

Edi Lesi: “Mungon transparenca e nevojshme në këtë rast, kam përshtypjen se ka probleme edhe me mënyrën se si është proceduar, si janë nxjerrë njerëzit jashtë, a janë zbatuar të gjitha rregullat, kush shoqëron, pse bëhet kjo, një komunikim me një autoritet, këtu asgjë, këtu vihet sikur, domethënë vjen me një lloj arbitrariteti, nxirren njerëzit jashtë, asnjë sqarim, kjo është më e çuditshmja në këtë rast.”/tvklan.al