Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Aleatët e Partisë Socialiste kërkojnë mbledhje të koalicionit pas shtyrjes së afatit të komisionit të posaçëm parlamentar, një ditë më parë nga Kuvendi. Tryeza pritet të mblidhet ditën e enjte dhe në të do të diskutohet për ndryshimet në kodin zgjedhor.
Aleatët e socialistëve deklarojnë se nuk do të marrin pjesë në komisionin dypalësh, madje vënë në dyshim votimin e vendimeve që do të marrë komisioni, nëse produkti do të jetë kundër propozimeve të partive të vogla.
Skënder Gjinushi: “Ne na intereson produkti dhe jo se kush ka marr pjesë apo se ku janë prodhuar, në kulisa, apo në terren të hapur. Në qoftë se PS do të bjeri prapë viktimë e presioneve dhe do hyjë prapë në lojëra balancimi apo bllokazhi, në fund të fundit do bllokoj veten dhe rrjedhimisht do të rritet përgjegjësia e saj, për mos kryerje të reformës zgjedhore. Zgjidhja është e thjeshtë, është thënë që para dy vitesh, vetëm një komision normal në kushte normale, përfaqësuar nga tërë partitë, i baraspeshuar pozitë-opozitë dhe Kuvendi të votojë rekomandimet e këtyre amendamenteve.”
Neritan Ceka: “Krishti u ringjallë vetëm një herë, kurse KQZ u ringjall dy herë dhe kjo i ndodh vetëm përbindëshave, pra meqë u zgjat jeta e këtij përbindëshi ne mendojmë, që është detyra numër 1 e jona, është të bëjmë një mbledhje të koalicionit për të përcaktuar ato shkallë në të cilat duhet të ecim.”
Paskal Milo: “Në qoftë se ky raport do të ruaj veton, ose prioritetin e dy partive të mëdha politike, për të vendosur për gjithçka atëherë vota ime padyshim që do të jetë kundër.”/tvklan.al
Gazetare: Arta Tozaj