Partitë e vogla mblidhen gjatë pasdites për të diskutuar mbi koalicionin qeverisë për integrim. Në këtë tryezë marrin pjesë krerët e Partisë Socialdemokrate, Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, aleancistët dhe agrarët, ndërsa nuk është ftuar Partia Socialiste, e cila ka shmangur mbledhjen e një tryeze të koalicionit. Aleatët e socialistëve kërkojnë pjesëmarrjen në qeveri, bashkëpunim në bazë si dhe respektim të kërkesave të tyre ndaj komisionit për reformën elektorale. Në të kundërt këto parti në shtator mbledhin forumet drejtuese për të parë qëndrimine tyre në koalicion.
Neritan Ceka: “Kjo qeverisje duhet të prezantohet së shpejti, në qershor të vitit të ardhshëm edhe një herë përpara elektoratit shqiptar. Duhet të fitojë, mendoj që ka qenë qeverisja më e përshtatshme, më rezultative, por kjo duhet të paraqitet me një fytyrë më pluraliste se ajo e sotshmja. Kjo mund të ishte tema e përgjithshme në tryezën e koalicionit, e cila, pastaj, praktikisht mund të zgjidhej edhe në formula, qoftë të përbërjes së qeverisë, qoftë të realizimit të koalicionit në bazë, ku, me thënë të drejtën, ka një tendencë të Partisë Socialiste për të ngrënë kokat e aleatëve.”
Vangjel Dule: “Në mënyrë imediate duhet të marrë qëndrim zyrtar partia socialiste në strukturat e veta në lidhje me fatin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Në lidhje me punën e komisionit bipartizan dhe natyrisht me obligimet qe duhet t’u përgjigjet më mirë, më qartë dhe në mënyrë më rezultative koalicioni deri në ezaurimin e këtij mandati, qoftë ky mandat i plotë, apo nëse do të preket nga një proces i prakohshëm zgjedhor.”
Partia Socialiste hesht përballë aleatëve të pakënaqur duke mos komentuuar as largimin e Partisë Demokracia Sociale nga koalicioni. Zyrtarët e Selisë Rozë e kanë cilësuar ‘keqkuptim mediatik’ deklaratën e dhënë nga kryetari Paskal Milo.
Paskal Milo: “Demokracia sociale, vendimin që mori e ka peshuar jashtëzakonsisht shumë, dhe ka qenë shumë e kujdesshme që të shpjegojë qartë dhe mirë për arsyet që çuan në vendimin e komitetit drejtues për largimin nga koalicioni për integrim. Ne do të vazhdojmë të mbajmë këtë qëndrim derisa të shohim që nga ana e Partisë Socialiste ka një reflektim serioz.” /tvklan.al