Alergologia: Rrezikojnë astmë, sinozit, probleme me veshët

Me çeljen e pemëve, edhe shfaqja e alergjisë nga polenet është shtuar. Alergologia Mirela Hitaj thotë se pacientët paraqiten vonë tek mjeku, duke rrezikuar kështu shfaqjen e astmës apo sinozitit.

“Akoma nuk janë ndërgjegjësuar njerëzit, dhe drejtohen në farmaci. Sa më shpejt të vendoset diagnoza, aq më mirë është për pacientin, sepse këto mund të vazhdojnë me astmë. Mund të ndikojë në pjesën e sinozitit, mund të ndikojë në inflamacionin e rrugëve të poshtme të alergjisë. Sidomos të fëmijët e vegjël mund të japë probleme edhe me veshin”, thotë Hitaj.

Në përgjithësi më të prekurit nga alergjitë e pranverës janë moshat e reja. Por viteve të fundit sipas mjekes janë shtuar rastet edhe të moshat më të mëdha.

“Më përpara kanë qenë shumë më të rralla rastet në moshat e vjetra, tani i shohim më shpesh. Shkak është mënyra e jetesës. Sa më moderne të jetë mënyra e jetesës aq më shumë probleme ka. Sa më pranë natyrës të jetë më pak probleme ka, sepse bëhet një lloj vaksine natyrale që i themi ne, sa më afër natyrës aq më pak alergji ka”, shprehet alergologia.

Për të minimizuar shfaqjen e alergjisë mjekja ka disa këshilla.

“Kur të udhëtojnë, të udhëtojnë me xhama të mbyllura, të mbajnë maskë edhe jashtë se e ndalojnë atë luksin e poleneve, të mos dalin në drekë, por në mëngjes dhe darkë, të shmangim parqet e gjelbëruara”, shton ajo më tej.

Pacientët duhet të drejtohen patjetër tek mjeku nëse kanë teshtima të njëpasnjëshme, rrjedhje-bllokim hundësh, kruarje hundësh, sysh apo kollë për më shumë se 4 apo 5 ditë.

Tv Klan