Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Pas dështimit të referendumit në Maqedoni, shqiptarët të kënaqur tashmë, mund të shohin përpara, për realizimin e dy pikave të tjera të rëndësishme të marrëveshjes së Ohrit, njohjen e simboleve kombëtare dhe përdorimin e gjuhës shqipe në të gjitha institucionet në Maqedoni.

Kreu i BDI-së, partia shqiptare në koalicionin qeverisës Ali Ahmeti, në një prononcim për Klan ka premtuar se këto dy pika të mbetura të marrëveshjes së Ohrit, do t’i fusë për shqyrtim në parlament, brenda dy muajsh edhe pse thekson, se zgjedhjet lokale që do të zhvillohen në pranverë do të jenë mjaft të nxehta.

Ali Ahmeti: “Në një kohë shumë të afërt me procedurë parlamentare, do të lihen edhe këto dy ligje, me çka nuk kemi ndonjë mospajtim me partnerin e koalicionit. Mendoj që brenda dy muajsh edhe këto dy ligje do të sillen në parlament. Në një të ardhme shumë të shpejtë do të kemi zgjedhjet për pushtetin vendor, me çka ato do të jenë shumë më të nxehta, sepse do të jenë në konkurrencë partitë.”

Sipas të dhënave zyrtare të regjistrimit të popullsisë në 2002, shqiptarët përbëjnë 25.17% kundrejt 64.18% të maqedonëve dhe pjesën tjetër e zënë pakicat rome, serbe, boshnjake dhe vllehe./tvklan.al

Gazetare: Mimoza Koçiu