Rendi i ditës dhe zgjedhja e sekretarit janë bërë subjekt i debateve në Komisionin Hetimor për zgjedhjet e 25 Prillit. Kryetari i këtij komisioni, Enkelejd Alibeaj, iu përgjigj deklaratave të zv/kryetarit Toni Gogu, i cili i tha më herët se duhet të mbledhë veten dhe të vendosë rregull në mbledhje.

Alibeaj pranoi ftesën e Gogut për të bërë debate me tone të qeta, por i tha se vetë ai dhe opozita janë të mbledhur, por e kundërta ndodh me mazhorancën.

 “Së dyti, lidhur edhe me pretendimet tuaja më bëtë thirrje për të mbledhur veten. Unë jam i mbledhur këtu, kam qenë i mbledhur këtu. Të tjera këto mbledhje të komisionit hetimor, por nuk u mblodhët ju. Nuk erdhët. Nuk ju mblidhja dot se ikët në mbledhjen e mëparshme. Ikët. Ikët pa arsye. Ikët pasi kishim filluar votimin në parim e kaluam. Nuk ju mbledh dot. Nuk kam fuqi të mbinatyrshme për t’ju mbledhur”, tha Alibeaj.

Alibeaj tha se rendin e ditës nuk e hedh dot në votim sepse e ka përcaktuar ligji. Sa i përket sekretarit të komisionit, kërkesë e mazhorancës, Alibeaj tha se do të përcaktohet gjatë ditës së sotme dhe po këtë të mërkurë është parashikuar që të administrohet kërkesa e anëtarëve të komisionit për të marrë prova.

“E drejta për të marrë prova thotë ligji thuhet pa votim. Ju thoni që e drejta që për të marrë prova hidhet në ligj. Që do të thotë që çdo kërkesë për të marrë prova do të kthehet me ligj”, tha Alibeaj.

Alibeaj thotë se “nuk ka futur duart” në rregullore por e ka marrë siç është përdorur më përpara në komisionet e tjera hetimore për të respektuar traditën parlamentare./tvklan.al