Shqiptarët harrojnë të pajisen me pasaportat e vjetra. Mbi 700 të tilla të prodhuara për aplikantët mbeten ende në sportelet e drejtorisë së policisë së qarkut Tiranë.

Alma Katragjini:“Aktualisht janë prodhuar datat e aplikimit 14 Korrik 2008, ndërsa përgjatë ditës së djeshme janë prodhuar 250 pasaporta. Krahas si më lartë lutemi qytetarëve të Tiranës të paraqiten  pranë sporteleve për të tërhequr pasaportat e tyre pasi gjendja e pasaportave në total të prodhuara, por ende të patërhequra nga qytetarët është rreth 700 pasaporta”.

Lajmet e mira për prodhimin e pasaportës së re dhe kartave të identitetit ka bërë që shqiptarët të harrojnë se ende prodhohen pasaporta dhe se ende ka një fluks të madh kërkesash për t’u pajisur me të vetmin dokument pa të cilin nuk mund të udhëtosh.

Alma Katragjini: “Lehtësira do të ketë edhe ndaj aplikantëve emigrantë shqiptarë, të cilët vijnë në vendin e tyre me rastin e pushimeve verore duke e prodhuar pasaportën me një afat të shpejtë prej pesë ditësh nga dita e aplikimit të parë, ndërsa për aplikime të dyta prodhimi i pasaportës varion nga shtatë deri në dhjetë ditë nga dita e aplikimit”./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani